Hoti: Ekipi dialogues dhe Qeveria të japin dorëheqje, vendi të shkojë në zgjedhje

Prishtinë | 27 Qer 2019 | 16:36 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës që ta shpallë jokushtetues këtë vendim, raporton Ekonomia Online.

Hoti është shprehur i bindur që ekipi dialogues dhe Qeveria duhet të japin dorëheqje dhe se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja

“Vlerësojmë se Gjykata Kushtetuese ka folur qartë dhe zëshëm se ligji për dialogun është antikushtetues. Ky e vërteton atë që LDK-ja e ka thënë se dialogu duhet të udhëhiqet nga institucione legjitime. Kosova është dëmtuar shumë nga veprimet antikushtetuesve të koalicionit PAN. Shkelje është bërë me draft rezolutën që është miratuar në Qeveri ku dialogu i ka kaluar Presidentit, shkelje i është bërë në Kuvend dhe nga nxjerrja e ligjit për dialog. Ekipi negociator dhe kjo Qeveri duhet të heqin dorë dhe vendi duhet të shkojë në zgjedhje. Çdo ditë më shumë që vazhdon në zyrë kryeministri Haradinaj është në shkelje e Kushtetutës. Jemi të gatshëm ta çojmë mocionin përpara”, tha ai.

Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, thotë se ky vendim tregon edhe atë që “Haradinaj u ka ikur kompetencave kushtetuese dhe nuk është i aftë t’i mbrojë interesat e shtetit”.

“Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese i ka dhënë mesazh Kryeministrit se kompetencat kushtetuese nuk janë zgjedh e merr dhe kompetenca e Qeverisë për ta zbatu politikën e jashtme nënkupton përgjegjësi shtetërore dhe patriotike për t’i mbrojt të drejtat e Kosovës. Duke ikë nga kjo përgjegjësi ka tregu se nuk është i aftë të mbrojë interesat e Kosovës. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka konfirmuar secilin argument pikë për pikë që e kemi bë si ekip, e ka dëshmuar edhe Gjykata si e kemi thënë edhe ne që Projektligji për dialogun shkel kompetencat e Qeverisë kurse në anën tjetër shkel kompetencat e Kuvendit si përfaqësues më i lartë i sovranit”, tha ajo, raporton EO.

Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, tha se pas këtij vendimi të Gjykatës u konstatua se kjo Qeveria është jashtëzakonisht e dëmshme për Kosovën.

“Vendimi i Gjykatës vetëm sa e forcon bindjen tonë se kjo qeveri ka ardhur me logjikën e pazareve dhe kanë mendu se kështu mund të udhëheqin. Jemi në një situatë ku kjo Qeveri dhe ky ekip më nuk ekziston. Logjika e pazareve të tyre është dëshmuar kur janë ndarë paratë për këtë ekip, ju kujtohen punësimet e dy udhëheqëse. Kështu e shohin këta, mendojnë që mund të vazhdojnë tutje. Kjo Qeveri jo që nuk duhet të vazhdojë, por është jashtëzakonisht e dëmshme për Kosovën”, tha Selmanaj.

Rastin në Gjykatën Kushtetuese e kishin parashtruar deputetët Driton Selmanaj, Albulena Haxhiu dhe 30 deputetë të tjerë.

Të ngjashme