Kryeministri në detyrë Avdullah Hoti në nder të 15- vjetorit të vdekjes së ish-presidentit Ibrahim Rugova , tha se Kosova sot identifikohet me emrin e presidentit të ndjerë, raporton Ekonomia Online.
“Sot Kosova identifikohet me emrin e Ibrahim Rugovës i cili bëri epokë duke u bërë vet simbol i kësaj epoke”, deklaroi tutje Hoti.
Tutje, kryeministri në detyrë Hoti tha se populli i Kosovës me Rugovën ka një lidhje të fortë, pasi ai i qëndroi parimeve të tij.
“Ishte realist me vizion të jashtëzakonshëm”, tha më tej Hoti.
Fjala e plotë e kryeministrit Hoti:
Si sot 15 vjet më parë, Kosova u nda nga prijësi i saj historik, ideatori dhe themeluesi i Republikës së Kosovës, dr. Ibrahim Rugova. Të gjithë e kujtojmë janarin e vitit 2006 për acarin e egër që pati ngrirë gjithçka. Mirëpo, gjatë atyre ditëve kur të gjithë ne bëmë homazhe, asgjë nuk na ndalonte që në temperatura të ulta t’i jepnim nderimin tonë këtij njeriut të madh që kishte krijuar shpresë për qytetarët e Kosovës në ditët më të rënda të historisë së Kosovës.Ato ditë dhe javë të zisë nacionale shënuan besëlidhjen e përhershme të popullit të Kosovës me prijësin e vet; në mënyrë plebishitare, Rugova rimori pohimin e madh për gjithçka që Ai kishte bërë për këtë vend, rimori miratimin për frymën, urtësinë dhe filozofinë me të cilën ai e udhëhoqi Kosovën drejt lirisë dhe pavarësisë, duke ruajtur kohezionin e brendshëm dhe duke i krijuar Kosovës miq anekënd globit. Ky ripohim, njëkohësisht, shenjoi asokohe e do të shenjojë përjetë pohimin e pajtimit të njerëzve të mrekullueshëm të Kosovës me testamentin politik të Ibrahim Rugovës: përjetësinë e Republikës së Kosovës! Të dashur pjesëmarrës të këtij manifestimi,Zonja dhe zotërinj,
Pakti i pajtimit të popullit të Kosovës me presidentin Rugova ka themele të forta. Rugova, njeriu që kaloi nga bota e mendimit kritik letrar, gjatë tërë veprimtarisë së tij u qëndroi besnik parimeve të veta; ai ishte politikan shumë realist, por me ide dhe vizion të jashtëzakonshëm për kohën në të cilën jetoi. Duke qenë i tillë, krejtësisht atipik në këtë mjedis të prirur kah glorifikimi i militantëve, dijetari e politikani Ibrahim Rugova shpeshherë nuk u kuptua. Brenda vendit, më se një herë ai u akuzua për politikën e tij pacifiste e pasive, ndërsa jashtë vendit për kërkesat maksimaliste. Mbase, kritikat e të dyja palëve kanë rezon: Rugova ishte njeri i paqes, njeri i dijes dhe i humanizmit, prandaj ai kurrë nuk mund t’i lejonte vetes të bënte thirrje të hapur për luftë. Në fund të fundit, ruajtja e substancës nacionale ishte kusht dhe prioritet edhe për ekzistencën dhe mbijetesën e Republikës së Kosovës. Porse, njëkohësisht, thuajse çdo javë, Rugova ritheksonte se shqiptarët e Kosovës, nëse detyrohen, do të dinë ta mbrojnë pragun e shtëpisë. E pragu i shtëpisë për të ishte pragu i Republikës, sepse secila shtëpi e Kosovës ishte një gur në themelin e shtetit të pavarur që po ndërtohej përditë dhe me sakrifica të mëdha.Po ashtu, mund të mirëkuptohen edhe ata liderë e diplomatë të jashtëm, të cilët e theksonin qarqeve diplomatike se “Rugova nuk është i gatshëm për kompromise”. Ata kishin të drejtë, gjithsesi! Presidenti Rugova asnjëherë dhe në asnjë rrethanë nuk hoqi dorë nga kërkesa e tij e panegociueshme: Kosova duhet të jetë shtet i lirë dhe i pavarur, në paqe dhe fqinjësi me të gjitha vendet e ish-federatës dhe të mbarë rajonit. Shkurt e shqip, secili zot në shtëpinë e vet!
Thënë kushtimisht, refuzimi kategorik i Ibrahim Rugovës i çfarëdo zgjidhjeje politike që e cenonte pavarësinë e plotë të Republikës së Kosovës, s’është asgjë tjetër përveçse përgjegjësi e një prijësi të vërtetë, i cili interesin dhe të ardhmen e vendit të tij e ka busull të mendimit dhe të veprimit atdhetar e politik. Të nderuar pjesëmarrës,Zonja dhe zotërinj,Sot, Kosova identifikohet me emrin e Ibrahim Rugovës. Ai ishte jo vetëm prijës politik, por edhe krijues i një fryme nacionale e politike në Kosovë. Rugova, siç është thënë tashmë, bëri epokë, duke u shndërruar vetë në simbol të saj, në simbol të epokës së pavarësisë së Republikës së Kosovës.
Bota na njohu e na mbështeti falë urtësisë dhe karizmës së Ibrahim Rugovës, falë mençurisë dhe aftësisë së tij të papërsëritshme për të qenë prijës i dashur në vend dhe partner i besueshëm e i nderuar në qendrat më të fuqishme të politikës dhe diplomacisë europerëndimore.Ibrahim Rugova në skenën e veprimit politik u fut pasi kishte bërë emër në fushën e studimeve letrare. Ai i lexoi të gjithë krijuesit e brezit të tij, njësoj siç i lexoi dhe i studioi autorët e traditës. Për më tepër, njohu si pak kush tjetër në këtë mjedis shkollat dhe frymën e studimeve letrare evropiane; Rugova, me autorët e kohës së tij, si Pashku, Podrimja, Hamiti, Ismajli etj., krijoi shkollën e refuzimit estetik të socrealizimit në këto hapësira. Kështu, nëpërmjet artit letrar dhe mendimit për të, ky brez hapi shtegun e madh të refuzimit shoqëror e politik të uniformitetit vulgar që imponohej nga regjimi i kohës. Njëkohësisht, ky brez, kjo klasë intelektuale e Kosovës, e krijoi vetëdijen e rezistencës ndaj përpjekjeve për shtypjen dhe zhbërjen e shqiptarëve në ish-Jugosllavi.Rugova dhe bashkëkohanikët e tij e ngritën artin e shkrimit në nivel kulti, duke bërë që vitet ’70 dhe ’80 të shndërrohen në vite të arta jo vetëm për krijimtarinë letrare të Kosovës së asaj kohe, por edhe për jetën kulturore në përgjithësi. Brezat e sotëm të krijuesve dhe mendimtarëve të këtij vendi, pa dyshim, mund dhe duhet të marrin shembull nga brezi i Ibrahim Rugovës, nga brezi i refuzimit të mendësisë marksist-leniniste dhe të izmave të tjera, nga të cilat edhe shqiptarët, si shumica e kombeve të tjera të ish-Bllokut Lindor, pësuan shumë vuajte e tragjedi.Ndërkaq, brezi i sotëm politik mund dhe duhet ta ketë përherë model lidershipin rugovian, që arriti në mënyrë të mahnitshme t’i sintetizojë vlerat më sublime të traditës sonë nacionale me dijet bashkëkohore europerëndimore, duke u bërë një shembull i mrekullueshëm i prijësi të urtë, të dashur, por edhe të vendosur.Populli i Kosovës e admiroi pa fund Presidentin Rugova, sepse ai ishte përfaqësues besnik i frymës, synimeve dhe filozofisë politike që ky vend kishte pritur me shekuj, ndërsa bota e mirëpriste dhe e nderonte si burrështetasin e parë të Republikës së Kosovës, sepse te ai shihte prijësin dijetar, të munguarin e madh të kësaj pjese historikisht të trazuar dhe ngatërrestare të Evropës Juglindore!Ju faleminderit!Zoti e bekoftë Presidentin Rugova!Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës dhe popullin e saj!Zoti i bekoftë miqtë tanë të mirë!