Kandidati për Kryeministër nga radhët e LDK-së, Avdullah Hoti, ka takuar sot të rinjtë e Prishtinës, për të diskutuar lidhur me problemet dhe sfidat e të rinjve.
“Kam kënaqësinë të jem në mesin tuaj dhe dua të flasë me ju për parimet bazë që kemi pasur për ju dhe për të ardhmen euroatlantike të Kosovës.
Nuk kemi bërë kompromis asnjëherë për vendin tonë, dhe nuk do të lejojmë që të cenohen vlerat fundamentale të kësaj shoqërie”, tha kryeministri Hoti.
Ai theksoi se, qeveria e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka menaxhuar sfida shumë të mëdha gjatë këtyre muajve.
“Vizioni dhe politika e djathtë e qeverisë sonë ka hapur gjitha të dyert e qendrave evropiane dhe botërore. Marrëdhëniet me Evropen dhe ShBA-në kanë qenë jashtëzakonisht të mira në qeverisjen e LDK-së, për dallim nga qeveria e kaluar, e cila gati rrënoi këto marrëdhënie”, tha mes të tjerash kryeministri Hoti.
Gjatë këtij bashkëbisedimi, kryeministri Hoti, informoi të rinjtë rreth politikave për rini që do të jenë pjesë e programit qeverisës. Ai nënvizoi se, të rinjtë që perfundojnë studimet, do të përkrahen me një vit punë praktike në institucione publike dhe private, do të përkrahen përmes fondeve të ministrive, do t’u lehtësohet qasje në kredi dhe do të përkrahen në hapjen e bizneseve.
Po ashtu, gjatë fjalës së tij me të rinjtë, kryeministri Hoti bëri thirrje për angazhim e mobilizim, në mënyrë që kjo shoqëri të mos rrëshqasë në drejtim të gabuar, por të ruajë kursin e saj pro-perëndimor.
Me disa mesazhe, të rinjve u janë drejtuar edhe kandidatët për deputetë, z. Armend Zemaj, z. Arban Abrashi, z. Lumir Abdixhiku dhe znj. Rita Spahiu.