Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, ka thënë se vizita e tij në Krushë të Madhe të Rahovecit është për të treguar respektin dhe nderimin për të pagjeturit.
Hoti ka thënë po ashtu se kjo është një mënyrë për t’i treguar familjarëve të të pagjeturve se e kanë përkrahjen e Qeverisë së Kosovës.
“Jam në një vend të veçantë dhe të shenjtë. Jam këtu për të treguar respektin, nderimin dhe përkujdesjen e Qeverisë së Kosovës për të gjithë të pagjeturit në gjithë Kosovën në prag të festave. Për t’iu treguar familjarëve të tyre që do t’iu qëndrojmë afër deri në përmbylljen e kësaj çështje. Kemi bërë të pamundurën gjatë këtij viti në këtë drejtim duke e vendosur këtë temë në rend të parë, duke emëruar një person që është ndër personat që më përzemër ndjen këtë çështje i cili e ka dinamizuar komplet krejt këtë proces. Sot në prag të festave jemi për të treguar mbështetjen e Qeverisë së Kosovës për të gjithë të pagjeturit anë e kënd Kosovës”.(KK)