Kandidati për kryeministër nga LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti, ka thënë të martën, se me Programin e ri qeverisës do ta bëjmë Shtërpcën destinacion turistik të rangut botëror.
“Shtërpca është vend specifik, prandaj ju garantoj se, ashtu siç kemi punuar gjatë qeverisjes sonë, do të vazhdojmë edhe në të ardhmen, madje me intensitet edhe më të madh. Do të punojmë më tepër në infrastrukturë për të pasur qasje më të lehtë në fshatrat e bukura të kësaj ane, do ta kthejmë Shtërpcën në një destinacion turistik të nivelit botëror”, ka thënë Hoti.
Ai ka shtuar se me Ligjin për investime strategjike do të punojmë menjëherë me partnerët e koalicionit rreth fillimit të procedurave për kontraktimin e një investimi të madh në Brezovicë me çka do të ndërrohet gjendja në Shtërpcë, sepse mundësitë për punësim do të jenë shumë më të mëdha.
“Programi ynë në fushën e bujqësisë është më i miri i mundshëm që është parë ndonjëherë në Kosovë. Gjatë këtij mandati e kemi dyfishuar mbështetjen për bujqësi, ndërsa prej janarit 2018 planifikojmë ta trefishojmë buxhetin për bujqësinë, do të japim grante, sidomos për blegtori dhe njëherësh duke u siguruar se subvencioni dhe granti arrin te bujku dhe jo gjysma e tyre të zhduken rrugës”, ka thënë Hoti.
Ai ka deklaruar se kemi një program shumë të mirë për rininë, i cili u mundëson atyre të gjejnë punë sapo të përfundojnë studimet.
Kryetar i LDK-së dhe kryeministri Isa Mustafa ka thënë se e gëzon fakti që ju gjithmonë keni qenë pjesë e rëndësishme e LDK-së dhe kjo po shihet edhe sot nga përkrahja juaj.
“Ky koalicion mund të bëjë shumë punë të mira dhe ju ta shfrytëzoni edhe më tepër këtë natyrë të bukur që e keni. Hotelet, fabrikat dhe resurset e kësaj pjesë nuk do të jenë më vetëm për një komunitet, por për të gjithë qytetarët dhe të gjithë të përfitojnë nga këto bukuri natyrore”, ka thënë Mustafa.
Sipas tij, me një program të shkëlqyeshëm qeveritar të z. Hoti dhe me përkrahjen tonë të plotë, nga i gjithë koalicioni, pretendojmë të qeverisim Kosovën, sepse jemi të bindur që është alternativa më e mirë, shumë më e mirë se qeverisja e PDK-së, e cila ka qeverisur gjatë, por nuk arriti të ketë një koncept ekonomik.
Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli ka thënë se 11 qershori do të jetë data kur do të ndodhë ndryshimi i madh. “Këtë ndryshim po e dëshironi ju dhe ai do të ndodhë. Koalicioni ynë është i punës, i njerëzve me vlera, i drejtësisë, e jo i abuzimit të qytetarit, zhvatjes e dhunës”, ka thënë Pacolli.
Sipas tij, kryeministri i ardhshëm, Avdullah Hoti është njeri i vlerave, i punës, i fjalës, prandaj do ta mbështesim me të gjitha mundësitë tona.
Kryetari i degës së LDK-së në Shtërpcë, Valmir Ahmeti ka thënë se Dega e LDK-së në Shtërpcë është vënë përballë atyre që janë në koalicionin e territ, të cilët përveç interesit të tyre personal nuk shohin asgjë tjetër.
”Jemi mobilizuar me të gjitha mundësitë tona, me të vetmin qëllim, për të arritur fitore të madhe më 11 qershor. Ju ftoj që më 11 qershor të dalim në mënyrë masive, të votojmë koalicionin e dritës dhe të çojmë në vend amanetin e Presidentit Rugova”, ka thënë Ahmeti.