Hoti paralajmëron pushime tatimore “për biznese të caktuara”

Gjilan | 30 Maj 2017 | 16:00 | Nga Kaltrina Zymberi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kandidati për kryeministër nga koalicioni LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti, ka paralajmëruar se një nga masat që do të marrë qeveria e  drejtuar nga ai, do të jenë pushimet tatimore “për biznese të caktuara”.

Hoti ka thënë se do t’i funksionalizojmë zonat ekonomike dhe jemi dakorduar me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Ministrinë e Tregtisë për t’i bërë këto zona në funksion të komunitetit të biznesit.

Një masë tjetër e qeverisë së re do të jenë edhe “pushimet tatimore për biznese të caktuara”.

“Këto masa ekonomike të cilat janë të detajizuara me gjithë legjislacionin përkatës do të dyfishojnë rritjen e bizneseve në Kosovë. Do t’i vizitojë të gjithë sektorët e bizneseve në Kosovë, për t’ju treguar planet konkrete zhvillimore në të gjitha fushat të cilat do t’i ndërmarrim. Ne jemi të sprovuar në fushën e ekonomisë dhe nuk ka temë më të rëndësishme në Kosovë se ekonomia dhe punësimi i të rinjve”, ka thënë Hoti.

Ai ka premtuar se në mandatin e ri do “t’i heqë të gjitha monopolet të cilat po e ngulfatin ekonominë e Kosovës”.

Hoti fton PDK-në në debat publik

Avdullah Hoti e ka ftuar Partinë Demokratike të Kosovës në debat publik, sikur tha, që t’ua shpjegojë sesi do ta bëjë ai buxhetin 5 miliardë eurosh brenda një mandati.

Hoti ka thënë se sa ka qenë ministër i Financave është munduar t’i bindë me javë të tëra për buxhetin aktual që është 2 miliardë euro.

Kryetari i Gjilanit, njëherësh nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka thënë të martën në Gjilan se nga 12 qershori Kosova do ta ketë një qeveri të re, të qëndrueshme dhe stabile, që do të udhëhiqet nga Avdullah Hoti.

“Besojmë shumë se më 12 qershor, një ditë pas zgjedhjeve, jo vetëm Gjilani dhe Anamorava, por Kosova në përgjithësi do ta gjejë me një qeverisje të qëndrueshme, të sigurt dhe stabile të drejtuar nga Avdullah Hoti”, ka thënë Haziri.

Fejzullah Mustafa, pronar i fabrikës për prodhimin e pijeve Fluidi ka thënë se fabrika e tij posedon sipërfaqe mbi 10 mijë metra katror dhe rreth 200 punëtorë. Ai ka kërkuar që të vazhdohet me ndryshimin e politikave fiskale në favor të prodhimit vendor.

 

Të ngjashme