Kryeministri në detyrë Avdullah Hoti bashkë me përfaqësuesit e SBAShK-ut, kanë mbajtur konferencë për medie, sa i përket pagesë shtesë prej 100 euro për mësimdhënësit si dhe kontratës kolektive, raporton Ekonomia Online.
Hoti me këtë rast tha se ka kohë që janë duke negociuar për përmbushjen e kërkesave të kësaj kategorie.
Sipas tij, me kontratën kolektive janë saktësuar të gjitha kërkesat duke përfshirë pagesat shtesë, pagën e 13-të, pas vitit 2023, si dhe pagesën e shujtës.
Ai ka bërë të ditur se kontrata kolektive nënshkruhet gjatë së premtes.
“Ministria e Arsimit ka kohë që ka negociuar për disa çështje që lidhen me kontratën kolektive për arsim dhe jemi dakorduar për të gjitha aspektet e saj”.
“I kemi saktësuar të gjitha çështjet jemi dakorduar që të paguhet paga e 13 për të punësuarit parauniversitar në vitin 2023. Kemi saktësuar shujtën ditore për mësimdhënës dhe transportin”.
“Sot do të nënshkruhet kjo marrëveshje. Jam i kënaqur që i kemi adresuar të gjitha çështjet. Kemi dakordim që për shkak të orëve të shtuara për shkak të pandemisë arsimtarëve tu paguhen dy shtesa për shkurt dhe mars”.
Ministri në detyrë i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj, tha se janë marrë vesh me SBAShK-un që për disa pika të marrëveshjes që kanë implikime buxhetore zbatimi të shtyhet deri n ë vitin 2023, raporton EO.
“Lidhur me kontratën kolektive kemi punuar në mënyrë intensive dhe kemi arritur një kompromis”.
“Kemi hasur mirëkuptim që disa pika që bëjmë implikimin e buxhetit të Kosovës të shtyhen deri në vitin 2023. Paga e 13-të është e lidhur me performancë”.
“Sot do ta nënshkruajmë marrëveshjen pas përmirësimi të disa gabimeve teknike”.