Kryeministri Avdullah Hoti dhe ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, kanë vizituar Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK), raporton Ekonomia Online.
Ai fillimisht ka falënderuar të gjithë stafin shëndetësor për punën e palodhshme që nga muaji mars, pas shfaqjes së rasteve të para me Covid-19 në Kosovë.
Hoti u shpreh i bindur se pandemia do të zhduket brenda tre deri në katër muajsh. Madje ai tha se janë duke bë përpjekje të vazhdueshme për sigurimin e vaksinës anti-Covid.
“Jemi munduar që të gjithë së bashku të japim mbështetjen e nevojshme. Tash jemi në fazë të re kur vaksina do të shpërndahet; kemi bërë përpjekje të vazhdueshme edhe me ministrin që të jemi ndër vendet e para të marrim këtë vaksinë dhe të bëjmë planin kush do të vaksinohet”.
“Është krijuar një disiplinë për respektim të masave. Na duhet edhe 3 deri në 4 muajt e ardhshëm për të dalë nga kjo pandemi. E di që shumë kanë vuajtur nga mungesa e ofrimit të shërbimeve nga sëmundjet e tjera”.
“Ju jemi borxhlinj, pa përjashtim. Jemi në fund të kësaj pandemi edhe 3 deri në 4 muajt e ardhshëm të jemi të mobilizuar, kjo periudhë do të mbetet në histori në kushte në të cilat kemi vepruar”.
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, theksoi se në fund të javës do të shpalosin të gjitha aktivitetet e deritanishme. Ai tha me një angazhim të përgjithshëm mund të menaxhohen situata, siç është pandemia.
“Edhe unë si ministër e kemi pasur prioritet mbrojtjen e punës tuaj, pavarësisht implikimeve. Unë jam falënderues dhe do të vazhdojmë me të njëjtin përkushtim, aty ku ka llogaridhënie, ku ka nevojë”.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të ShSKUK-së, Valbon Krasniqi, para kreut të Qeverisë ka paraqitur sfidat dhe punë e bërë gjatë kësaj periudhe.
“Në fund të muajit nëntor nëpër klinika u detyruam të bëjmë shtretër shtesë. Në zbatim të vendimit të Qeverisë shërbimi spitalor në korrik ka marrë të gjitha masat dhe riorganizuam personelin shëndetësor. Kemi angazhuar 1 000 infermierë dhe gjatë nëntorit shtuam kapacitet prej 200 shtretër”.
“Furnizimi me oksigjen ishte një sfidë. Duke parë këtë gjendje qysh në fillim arritëm të vendosim një rezervuar dhe do të bëjmë tri spitale tjera me rezervuar. Brenda dy muajve të ardhshëm të gjitha spitalet do të kenë oksigjen të mjaftueshëm. Një nga detyrat kryesore na nevojitet ngritja e disiplinës në punë”.
Për kreun e IKShPK-së Naser Ramadani, ballafaqim me pandeminë që nuk ka qenë i lehtë, raporton EO.
“Do të vazhdojmë ballë hapur dhe do të vazhdojmë të përballemi me këtë virus. Duke qenë gjithmonë vigjilent se çdo luftë ka viktima ka qenë e pashmangshme në një luftë të tillë. Por lufta do të vazhdojë me parandalimin e rreziqeve të tjera”.
Drejtoresha e Klinikës Infektive, Lindita Ajazaj-Berisha u shpreh e bindur se çdo pacienti që ka kërkuar shërbime në këtë klinikë u është ofruar ndihma e nevojshme.
“Gjatë këtyre muajve kemi pasur sida të ndryshme dhe deri më tani i gjithë personeli i klinikës besoj që ja kemi arritur që çdo qytetarë që ka pasur nevojë t’i ofrojmë ndihmën mjekësore duke e situr që ka qenë një virus i ri”.