Hoti premton 100 € për çdo fëmijë që lindë

Hani i Elezit | 08 Qer 2017 | 12:53 | Nga Albulena Avdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

I propozuari për kryeministër të ardhshëm i koalicionit LDK AKR Alternativa dhe Lëvizja për Drejtësi, Avdullah Hoti tha para elektoratit në Hanë të Elezit, se është i vetëdijshëm që shkalla e ndotjes së ajrit në këtë komunë është e lartë dhe për këtë u premtoi banorëve se nëse merr besimin për të udhëhequr me qeverinë do t’i përmirësojnë kushtet mjedisore.

Ndërsa shtoi se programi i koalicionit që ai drejton është e vetmja alternativë që ka Kosova për zhvillim ekonomik dhe punësim, raporton Ekonomia Online.

“Meqë jemi në Hanin e Elezit janë tri çështje që na mundojnë. Është ndotja e ajrit ku në komunën tuaj është fabrika që po e ndotë ambientin dhe bashkë me programet e Komisionit Evropian do të bëjmë që të përmirësohen kushtet ambientaliste, besoj që do ta përmbushin këtë premtim”, ka thënë Hoti.

Ai tha se programi tyre është i qartë edhe sa i përket rinisë, duke premtuar për familjet e reja dhe për çdo fëmijë që lindë shumën prej 100 euro për të mbuluar shpenzimet bazike.

“Programi ynë është i qartë për të rinjtë, për t’i mbështetur ata të gjejnë një vend pune menjëherë pas përfundimit të studimeve si dhe mbështetjen e ideve të tyre për biznes. Programi ynë është i qartë për gratë lehona, do të paguajmë për çdo fëmijë që lind nga 100 euro, të punësuarat do të kenë pushim prindëror 12 muaj me pagesë, ndërsa edhe ato që nuk janë të punësuara do ta marrin 50 për qind të pagës minimale”, ka shtuar ai.

Ndërsa sa i përket bujqësisë, Hoti tha se nga janari i vitit të ardhshëm do ta trefishojnë buxhetin për këtë sektor.

Hoti, ka thënë se luftën e filluar kundër korrupsionit gjatë dy viteve të shkuara do ta vazhdojmë edhe më ashpër në qeverinë e re.

“Do të luftojmë ashpër kundër korrupsionit. Në mandatin tonë i kemi mbyllur vrimat e korrupsionit, por do të shkojmë edhe më tutje derisa të sigurohemi se sistemi është pastruar nga njerëzit që janë të përfshirë në këtë dukuri”, ka thënë Hoti.

“Ashtu sikur edhe në qendrat tjera anekënd Kosovës që i kemi vizituar, edhe para jush dua të them se programi ynë është një kontratë me qytetarin, është programi i zhvillimit ekonomik, për punësim, për rend e ligj, për integrime evropiane. Me një fjalë kjo është alternativa e vetme që e ka Kosova në këtë moment”, ka deklaruar Hoti.

Të ngjashme