Hoti prezanton programin për rimëkëmbje: Do të ndihmohen të gjithë pa përjashtim

Prishtinë | 15 Jan 2021 | 11:19 | Nga Aulona Sylaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, në një konferencë me ministren në detyrë të Financave, Hymete Bajrami ka shpalosur programin për rimëkëmbje ekonomike për vitin 2021, raporton Ekonomia Online.

Ai më këtë rast ka thënë se kanë marrë vendim për ndarjen e qindra miliona eurove. Hoti më tej ka shtuar se ky program ka 16 masa, duke përmendur se do të ketë edhe rritje të pensioneve..

Ai shtoi do të ndihmohen qytetarët, bizneset, ndërmarrjet e gastronomët për shkak që u dëmtuan në vitin 2020 si pasojë e pandemisë.

“Kemi votuar një vendim të rëndësishme lidhur me masat për zbatimin e Ligjit për rimëkëmbjen ekonomike. Janë bërë konsultime me ministritë kryesore për zbatimin e këtij ligji”.

“…në shumë prej 6.5 milionë euro do të ndahen për bizneset e vogla, me procedura të shpejta. Kemi ndarë për MASh-in 5 milionë euro për organizimin e mësimit”.

“Mbështesim ministrinë e Kulturës në shumën prej 2.5 milionë euro. Gratë në biznes prej 1 milion euro. 50 milionë euro për shëndetësinë”.

“11 milionë euro për shtesat në paga. Ministrinë e Bujqësisë me 6 milionë euro. Për sektorin e gastronomisë 3 milionë euro.

“Komunave u kemi ndarë 7.9 milionë euro. Mbështesim ndërmarrjet publike me 21 milionë euro. Ndërmarrësit me 1 milion euro”.

“Ministrisë së Ekonomisë me 16 milionë euro. MZhR-së i jaën ndarë 6 milionë euro. Masa e fundit do të rrisim pensionet që janë nën 100 euro”.

Hoti ka thënë se respekton të drejtën e disa punëtorëve të administratës që janë në grevë për shkak të mos kënaqësisë për bashkimin e dy ministrive.

Poashtu ai ka thënë se në tubime po e bëjmë maksimumin për ruajtjen e distancës dhe mbajtjen e maskave.

Hoti gjithashtu foli edhe për dëmet që janë bërë nga vërshimet duke u shprehur se nuk ka pasur rast fatal si rezultat i këtyre vërshimeve.

“Me Fondin Emergjent do t’i ndihmojmë familjet që kanë pasur dëme dhe që s’kanë mundësi që të investojnë. Do të procedojmë nga fondi rezervë”.

Hoti ka thënë se ata nuk e hetojnë rastin e vjedhjes së 2 milionë eurove nga thesari i shtetit, por me atë çështje merret Prokuroria Speciale.

Kurse ministrja Hykmete Bajrami kjo nuk është fushatë politike, raporton EO.

“Të gjitha masat ishin të parapara më herët. Rritje prej 30 euro për secilin person që e ka nën pensionin nën 100 euro prej 3 muajve në vazhdim”.

“Personat në skema sociale do të kenë edhe për 3 muaj dyfishim të parave që marrin”, theksoi ajo.

Masat që janë votuar në Qeveri:

PROGRAMI I RIMËKËMBJES EKONOMIKE 2021

1. Aprovohen masat për zbatimin e Programit të Rimëkëmbjes Ekonomike për vitin 2021, në vlerë prej dyqind e njëzet e dy milionë e katërqind mijë euro (222,400,000.00 €), me masat dhe shumat si në vijim:

1.1. MASA 1 – Në Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit, në nën-programin Ndërmarrësia, do të ndahen 6,500,000 € (gjashtë milionë e pesëqind mijë euro). Ndarja e mjeteve bëhet për vazhdimin e subvencionimit në emër të linjës së pagave për bizneset aktive dhe “Të vetëpunësuarit”, me kriteret që do te caktohen me vendim të veçantë të Qeverisë.

1.2. MASA 2 – Në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, do të ndahen mjete në shumë 5,000,000 € (pesë milionë euro) për mbështetjen e sektorit të arsimit për të mundësuar mbarëvajtjen e mësimit gjatë vitit shkollor 2020/21;

1.3. MASA 3 – Në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, do të ndahen mjete në shumë

2,500,000 € (dy milionë e pesëqind mijë euro) për mbështetjen financiare për punësimin e të rinjve, përkrahjen e organizatave të shoqërisë civile, grupeve tjera jo formale, stimulimin e aktiviteteve kulturore, artistike, sportive dhe rivitalizimit të tyre;

1.4. MASA 4 – Në Zyrën e Kryeministrit, nën-programi Agjencia për Barazi Gjinore, do të ndahen mjetet në shumë 1,000,000 € (një milionë euro) për mbështetjen financiare për projektet dhe iniciativat që synojnë përmirësimin e pozitës së gruas në shoqëri dhe ekonomi;

1.5. MASA 5 – Në Ministrinë e Shëndetësisë, për mbështetjen e sektorit të shëndetësisë do të ndahen mjete në shumë 50,000,000 € (pesëdhjetë milionë euro) dhe atë si vijon:

– 1.5.1. Blerja e vaksinave anti COVID-19 në shumë 40,000,000 € (dyzetë milionë euro) dhe

– 1.5.2. Blerja e materialeve për menaxhimin e pandemisë COVID-19 dhe aparaturave mjekësore në shumë 10,000,000 € (dhjetë milionë euro).

1.6. MASA 6 – Sigurimi i shtesës mbi pagë për sektorët që bartin barrën kryesore në menaxhimin e pandemisë, për punëtorët e këtyre sektorëve në terren dhe që janë të ekspozuar drejtpërsëdrejti rrezikut të infektimit me COVID-19 në punën e tyre (jo i gjithë stafi i këtyre institucioneve), do të ndahen mjete në shumë 11,000,000 € (njëmbëdhjetë milionë euro).

1.7. MASA 7 – Në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, në nën-programin Departamenti i Politikave Bujqësore, do të ndahen mjete në shumë 12,000,000 € (dymbëdhjetë milionë euro) sipas kritereve dhe procedurave të Programit për Pagesat Direkte për vitin 2021.

1.8. MASA 8 – Në Ministrinë Tregtisë dhe Industrisë, në nën-programin Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë, do të ndahen mjete në shumë 9,000,000 € (nëntë milionë euro) dhe atë si vijon:

– 1.8.1. Subvencionimi i eksportit për prodhuesit vendor në shumë 5,000,000 € (pesë milionë euro);

– 1.8.2. Subvencionimi i stoqeve të qumështit dhe produkteve të qumështit në shumë 1,000,000 € (një milionë euro) dhe

– 1.8.3. Subvencionimi i sektorëve të prekur nga vendimet e Qeverisë për ndalimin e aktiviteteve (gastronomia, sallat e dasmave, sallat e sportit, qendrat rehabilituese dhe të ngjashme), në shumë 3,000,000 € (tre milionë euro).

1.9. MASA 9 – Mbështetje për komunat e Kosovës për menaxhimin e situatës së krijuar nga pandemia COVID-19, në shumë 7,900,000 € (shtatë milionë e nëntëqind mijë euro).

1.10. MASA 10 – Në Ministrinë e Financave, përkatësisht Thesar, lidhur me rritjen e mbulueshmërisë së kredive të reja dhe lehtësimin e qasjes në financa, do të ndahen mjete në shumë 44,500,000 € (dyzetë e katër milionë e pesëqind mijë euro), për Fondin Kosovar për Garanci të Kredive, dhe atë si vijon:

– 1.10.1. Rritja e kapitalit për Fondin Kosovar për Garanci Kreditore në shumë 40,000,000 € (dyzetë milionë euro) dhe

– 1.10.2. Mbulimi i kostos së tarifës së Fondit Kosovar për Garanci Kreditore, në shumë 4,500,000 € (katër milionë e pesëqind mijë euro).

1.11. MASA 11 – Ndahen mjete në shumë 21,000,000 € (njëzet e një milionë euro) për Ndërmarrjet Publike financuar nga Kredia e Likuiditetit të Urgjencës së Infrastrukturës Vitale financuar nga BERZH, në momentin e pranimit të tyre. Këto mjete kanalizohen përmes Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit, nën-programit Njësia për Politika dhe Monitorim të NP-ve.

1.12. MASA 12 – Në Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit, në nën-programin Mjedisi, do të ndahen mjete në shumë 3,000,000 € (tre milionë euro) për realizimin e projektit “Për ambientin dhe gjelbërimin e tokës” me kod 18745.

1.13. MASA 13 – Në Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit, në nën-programin Ndërmarrësia, për mbështetje për ndërmarrësi, do të ndahen mjete në shumë 1,000,000 € (një milionë euro).

1.14. MASA 14 – Në Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit, në nën-programin Ndërmarrësia do të ndahen mjete në shumë 16,000,000 € (gjashtëmbëdhjetë milionë euro), për subvencionim për tarifën e Burimeve të Ripërtëritshme të Energjisë (BRE), në përputhje me nenin 15 të Ligjit Nr. 07/L-016 për Rimëkëmbjen Ekonomike – COVID-19.

1.15. MASA 15 – Në Ministrinë e Zhvillimi Rajonal, në nën-programin Administrata Qendrore do të ndahen shuma 1,000,000 € (një milion euro) për mbështetjen e programeve ekzistuese dhe të reja që lidhen me zhvillimin rajonal që ndikojnë në zhvillimin e balancuar rajonal.

1.16. MASA 16 – Në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, në nën-programin Ndihmat Sociale me kod 00500, do të ndahen mjete në shumë 31,000,000 € dhe atë si vijon:

– 1.16.1. Mbështetje për skemat pensionale për individët që përfitojnë më pak se 100 euro në muaj në shumë 13,500,000 € (trembëdhjetë milionë e pesëqind mijë euro)

– 1.16.2. Mbështetje për skemat sociale në shumë 7,500,000 € (shtatë milionë e pesëqind

mijë euro) dhe

– 1.16.3. Mbështetje për personat që kanë humbur vendet e punës, si pasojë e pandemisë (COVID-19) në shumë 10,000,000 € (dhjetë milionë euro).

Të ngjashme