Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti ka uruar Antony Blinken, për emërimin e tij sekretar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), në administratën e presidentit Joe Biden.
Hoti përmes një statusi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se u janë mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës për rikonfirmimin e mbështetjes për Kosovën.
Në letrën e urimit po ashtu ka shkruar se janë të përkushtuar të punojnë me ShBA-të për të përshpejtuar përpjekjet për të arritur marrëveshjen e normalizimit, midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, të bazuar në njohje reciproke.
Lexoni më poshtë letrën e urimit të kryeministrit në detyrë, Avdullah Hoti:
Letra e urimit për Sekretarin Amerikan të Shtetit, z. Antony Blinken
I nderuari Z. Blinken,
Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, urime për konfirmimin tuaj në postin e Sekretarit të Shtetit.
U jemi mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës për rikonfirmimin e mbështetjes për Republikën e Kosovës, si një shtet i pavarur, shumetnik, demokratik dhe i integruar plotësisht në strukturat Euro-Atlantike.
Sekretar, ne jemi të përkushtuar të punojmë me Ju për të përshpejtuar përpjekjet për të arritur marrëveshjen e normalizimit, midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, të bazuar në njohjen reciproke. Kjo marrëveshje do të forconte stabilitetin rajonal dhe do t’u mundësonte të dy vendeve të realizonin potencialin e tyre të plotë të bashkëpunimit.
Kosova është e përkushtuar të punojë me ju, si dhe me partnerët tanë në Bashkimin Evropian, për fuqizimin e sundimit të ligjit, krijimin e stabilitetit, zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe zhvillimin e demokracisë, si një vend plotësisht i gatshëm për procesin e integrimit Euro-Atlantik.
Shkëlqesia Juaj, ju lutemi pranoni konsideratën time më të lartë.
Sinqerisht,
Avdullah Hoti, Kryeministri i Republikës së Kosovës.