Hoxha bisedë telefonike me Igor Sholtes: Kosova e gatshme për ta përmbyllur procesin e liberalizimit të vizave

Prishtinë | 16 Gus 2018 | 15:02 | Nga

 Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, pati sot një bisedë telefonike me raportuesin e Parlamentit Evropian për Kosovën, Igor Sholtes, me të cilin diskutoi hapat e ardhshëm për procesin e liberalizimit të vizave duke pasur parasysh faktin se tashmë i gjithë procesi është në duart e institucioneve të BE-së pas plotësimit të kritereve nga ana e Kosovës.

Ministrja Hoxha e informoi Sholtesin se Kosova është duke vazhduar reformat dhe zbatimin e MSA-së dhe kërkoi që procesi i vendimmarrjes sa i përket liberalizimit të vizave të përshpejtohet.

Ministrja Hoxha theksoi se qytetarët e Kosovës e kanë të qartë se janë në prag të liberalizimit të vizave dhe po presin me padurim lëvizjen e lirë. Ministrja Hoxha po ashtu e njoftoi Raportuesin për Kosovën për fushatën e vetëdijesimit për liberalizimin e vizave të cilën e ka filluar Ministria e Integrimit Evropian, me theks të veçantë informimin e qytetareve sa i përket asaj se çka nënkupton liberalizimi i vizave si dhe sanksionet që mund të pasojnë në rast të keqpërdorimit.

Tutje, Ministrja Hoxha ofroi mbështetjen dhe bashkëpunimin e plotë të institucioneve të vendit në mënyrë që procesi i vendimmarrjes të jetë sa më i shpejtë dhe pritshmëritë e qytetarëve për lëvizjen e lirë deri në fund të vitit të plotësohen.

Në anën tjetër, Raportuesi i Parlamentit Evropian për Kosovën, Sholtes e e falënderoi Ministren Hoxha për angazhimin e saj gjatë gjithë procesit dhe e siguroi se ka mbështetjen e plotë për të përshpejtuar vendimmarrjen për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Sholtes, po ashtu e njoftoi Ministren për hapat e ardhshëm, për takimin e Komitetit LIBE më datën 29 gusht,  ku liberalizimi i vizave për Kosovën do të jetë në agjendë dhe jemi optimist që të marrë dritën e gjelbër për të ecur tutje.

Të ngjashme