Hoxha dhe Morina vizitojnë Abri e Epërme dhe Poklekun e Vjetër, ritheksojnë angazhimin për zbardhjen e krimeve të luftës

Prishtinë | 17 Kor 2026 | 16:39 | Nga Ekonomia Online

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, së bashku me prokurorin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Ilir Morina, Drejtorin e Departamentit të Hetimeve, Agron Nezaj, dhe Drejtorin e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, Bashkim Spahiu, kanë vizituar të mërkurën fshatrat Abri e Epërme dhe Poklek i Vjetër në Drenas, vende ku gjatë luftës u kryen disa nga masakrat më të rënda ndaj popullsisë civile shqiptare.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, në këto dy lokalitete forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe vranë 82 civilë të pambrojtur, përfshirë gra, fëmijë dhe të moshuar.

“Në këto dy lokalitete, forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe vranë dhe masakruan mizorisht 82 civilë të pambrojtur, përfshirë gra, fëmijë dhe të moshuar, prej tyre 23 viktima në Abri të Epërme dhe 59 viktima në Poklekun e Vjetër”, thuhet në komunikatë.

Gjatë vizitës, delegacioni institucional u takua me familjarët e viktimave, Imer Deliu dhe Fadil Muqolli, të cilët ndanë dëshmitë dhe rrëfimet e tyre për ngjarjet tragjike.

Sipas Policisë, drejtori Hoxha dhe përfaqësuesit e tjerë institucionalë shprehën solidaritet me familjet dhe ritheksuan përkushtimin për zbardhjen e plotë të këtyre krimeve.

“Drejtori Hoxha me përfaqësuesit tjerë institucionalë shprehën solidaritetin me familjet dhe ritheksuan angazhimin e përbashkët për zbardhjen e plotë të këtyre krimeve makabre dhe vënien e autorëve para drejtësisë”, thuhet në njoftim.

Policia e Kosovës thekson se do të vazhdojë hetimet në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale dhe institucionet e tjera të zbatimit të ligjit.

“Policia e Kosovës mbetet plotësisht e përkushtuar që, në koordinim të ngushtë me Prokurorinë Speciale dhe institucionet e tjera kompetente të zbatimit të ligjit, të vazhdojë me intensitet hetimin dhe dokumentimin e krimeve të luftës. Pavarësisht kohës së kaluar, çdo dëshmi dhe çdo informacion trajtohet me seriozitet të lartë, me synimin që përgjegjësit e këtyre krimeve të identifikohen, të ndiqen penalisht dhe të përballen me drejtësinë”, theksohet në komunikatë.

Policia e Kosovës nënvizon se kujtesa për viktimat dhe vendosja e drejtësisë mbeten obligim i institucioneve të vendit.

“Ruajtja e kujtesës për viktimat, mbështetja për familjet e tyre dhe vendosja e drejtësisë mbeten obligim institucional dhe moral i Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Të ngjashme