Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, ka komentuar për 18-vjetorin e masakrës në fshatin Izbicë të Skenderajt, ku forcat serbe masakruan 147 civilë të pafajshëm shqiptarë.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ajo thënë se drejtësia të ndëshkojë autorët dhe urdhërdhënësit e masakrës në Izbicë.
“Sot, Izbica, Drenica dhe krejt Kosova ka dhimbje. Është ditë e dhimbjes së madhe, sot, u vunë shumë kurora me lule me rastin e 18-vjetorit të masakrës ndaj 147 qytetarëve të pafajshëm, në Izbicë, vetëm pse ishin shqiptarë”, ka shkruar Hoxha.
“Dhembja bëhet edhe më e madhe kur kryesit e kësaj masakre, por edhe dhjetëra masakrave të tilla në Kosovë ende nuk janë ballafaquar me drejtësinë”.
“Organet kompetente të ndjekjes dhe gjyqësisë, më me ngulm duhet të ngrisin procedurat, të gjejnë dhe ndëshkojnë autorët dhe urdhërdhënësit e këtyre masakrave të papara ndaj qytetarëve të pafajshëm. Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar”, ka shkruar ministrja Hoxha.