Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, në vazhdën e vizitave në gjykatat themelore të vendit, vizitoi Gjykatën Themelore të Gjakovës.
Në takimin me kryetarin Vaton Durguti, Hoxha përgëzoi digjitalizimin e shërbimeve gjyqësore që kjo gjykatë do t’i funksionalizojë së shpejti, raporton Ekonomia Online.
“Këtu u njoftova nga kryetari i gjykatës për sfidat që këta po ballafaqohen, me sfidat e punës së tyre. Gjithashtu unë potencova faktin se si ministre e Drejtësisë që këta do ta kenë përkrahjen time të fuqishme në punën e tyre të përditshme, por në anën tjetër gjithashtu do ta kenë përkrahjen time edhe në përmirësimin e kushteve, rritjen e buxhetit rritjen e numrit të gjyqtarëve, në ngritjen e pavarësisë, ngritjen e efikasitetit dhe llogaridhënies nëpër gjykata”, ka thënë Hoxha.
Ndërsa, kryetari i Gjykatës Themelore të Gjakovës, Vaton Durguti, përmendi sfidat nëpër të cilat po kalon kjo gjykatë.
“Ishte nderë që sot e patëm për vizitë ministren e Drejtësisë. Normalisht ne e njoftuam atë për punën dhe sfidat të cilat po kalon gjykata jonë. Për ne sfidë është rritja e numrit të gjyqtarëve dhe synimi jonë i përgjithshëm është pritshmëria e qytetarëve për zgjidhjen e rasteve të jenë sa ma shpejt”, ka thënë ai.
“Sa i përket buxhetit është paksa i limituar, por në kuadër të këtij buxheti që kemi do të mundohemi që t’i arrijmë objektivat që kemi vënë përpara vetes”, ka thënë Durguti.