Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, mori pjesë në Konferencën vjetore të prokurorëve, ku diskutoi për përkushtimin e Ministrisë për fuqizimin e sundimit të ligjit.
Në këtë konferencë, morën pjesë presidenti Hashim Thaçi, kryeprokurori Aleksandër Lumezi, ambasadorë dhe përfaqësues të mekanizmave ndërkombëtar të pranishëm në Kosovë.
Ministrja Hoxha ofroi përkrahje të plotë dhe theksoi se sistemi i drejtësisë duhet të jetë sa mё funksional, me qëllim të forcimit të shtetit, aderimit në mekanizmat rajonal dhe ndërkombëtar, i plotësimit të standardeve dhe integrimit në BE si dhe është çelësi i zhvillimit ekonomik.
“Edhe pse Ministria e Drejtësisë ka kompetenca mjaft të kufizuara në drejtim të prokurorisë e gjyqësorit, është kënaqësi e jona që të mund t’ju dalim në ndihmë me vendosjen e politikave më të mira për të funksionuar sistemi i drejtësisë në vendin tonë. Çelës i suksesit të punës së Prokurorit është rritja e transparencës dhe llogaridhënies dhe se në këtë drejtim janë duke u rishikuar një sërë ligjesh, si ai i Kodit Penal, Procedurës penale, Ligji për gjykatat dhe një sërë ligjesh tjera që përmirësojnë efikasitetin e gjykatave. Do ta keni gjithmonë përkrahjen e Ministrisë së Drejtësisë”, theksoi ministrja Hoxha.
“Me kërkesë të Presidentit, kemi filluar procesin e rishikimit të Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale. Në përgatitjen e ndryshimeve në këto Kode, ne do të përpiqemi që të sjellim praktikat më të mira botërore e të cilat do t’ju mundësojnë prokurorëve, por edhe gjyqtarëve tanë që të luftojnë kriminalitetin në mënyrën sa më efikase. Vëmendje e veçantë do t’u kushtohet problemeve që prokurorët dhe gjyqtarët kanë hasur gjatë punës së tyre për të vënë drejtësi”, theksoi ministrja Hoxha.
Ministrja Hoxha vuri në pah se do të jetë gjithnjë e përkushtuar për të përmirësuar efikasitetin e sistemit të drejtësisë dhe sundimin e ligjit, njëherit ftoi institucionet gjegjëse që të thellojnë bashkëpunimin ndërinstitucional për fuqizimin e sundimit të ligjit.