Hoxha: Kosova si ushtrimore e LVV-së për shembjen e shtetit, demokracia po shfuqizohet

Prishtinë | 11 Gus 2026 | 19:50 | Nga Ekonomia Online

Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, ka reaguar për situatën politike dhe institucionale në vend, duke kritikuar qasjen e Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit.

Në një postim, Hoxha ka ngritur pyetjen se pse, sipas saj, Kurti “me më shumë qejf ushtron detyra sesa qeverisë”.

“Pse Albini ma me qejf ushtron detyra sesa qeverisë?”, ka shkruar Hoxha, duke renditur kritikat e saj ndaj gjendjes institucionale.

Ajo pretendon se Kosova ka mbetur pa Kuvend funksional dhe pa llogaridhënie institucionale për një periudhë të gjatë, ndërsa deputetët, sipas saj, nuk kanë mundësi ta ushtrojnë siç duhet mandatin e tyre.

Hoxha ka akuzuar gjithashtu qeverisjen në detyrë për shpërdorim të parasë publike, ndërhyrje ndaj bizneseve dhe negocim të kontratave milionëshe, ndërsa ka kritikuar edhe mënyrën e komunikimit politik me partitë shqiptare.

Sipas saj, ndaj partive të tjera po kërkohet “o nënshtrim, o rrënim”.

Në përfundim të reagimit, deputetja e PDK-së e ka cilësuar situatën si “shfuqizim të demokracisë dhe institucionit kryesor të Republikës”.

“Ky është shfuqizim i demokracisë dhe institucionit kryesor të Republikës”, ka deklaruar Hoxha.

Të ngjashme