Hoxha: Kosova do të angazhohet për të mbrojtur demokracinë kushtetuese

Prishtinë | 27 Tet 2016 | 12:26 | Nga

Në kuadër të shënimit të shtat vjetorit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, është organizuar konferenca me titull “Kontrolli incidental si mekanizëm Kushtetues në sigurimin e kushtetutshmërisë së ligjeve në vendet në tranzicion”, në të cilën kanë marr pjesë edhe kryetarët e Gjykatave Kushtetuese nga Shqipëria dhe Maqedonia, gjyqtar të Gjykatave Kushtetuese nga Bullgaria, Turqia dhe Portugalia, si dhe ekspert të ndryshëm të Kushtetutës.

Në këtë konferencë ka marr pjesë Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha,  e cila tha se që nga shpallja e pavarësisë, Republika e Kosovës i është nënshtruar një sërë ndryshimesh të thella demokratike që e karakterizojnë rendin e shteteve moderne ku mbizotëron demokracia kushtetuese dhe themelimi i Gjykatës Kushtetuese ka kompletuar mekanizmat e domosdoshëm juridik për demokracinë kushtetuese, duke u bërë gardian i mbrojtjes së Kushtetutës, njëherësh duke garantuar stabilitetin demokratik kushtetues përmes interpretimit të kushtetutshmërisë.

Demokracitë kushtetuese, mbrojnë vlerat kushtetuese, duke filluar nga barazia para ligjit, ndarja e pushteteve, e drejta e fjalës dhe e shprehjes, liria e besimit, e drejta e pronës dhe të drejtat e tjera, dhe me këtë rast Ministrja Hoxha theksoi se “Demokracia kushtetuese përfaqëson demokracinë e vërtetë të një shteti demokratik, të një shteti ligjor, demokracia kushtetuese nuk mund të ndërtohet dhe të funksionojë me vlerat e pjesshme të saj, por ndërtohet dhe funksionon duke respektuar dhe mbrojtur të gjitha vlerat kushtetuese dhe demokratike”.

Më tutje Ministrja Hoxha tha se kushtetuta ka si mision kryesor ruajtjen e vlerave themelore demokratike. Ajo duhet të promovojë dhe evidentojë këto vlera, si dhe të sigurojë stabilitetin, ashtu si dhe dinamizmin e zhvillimeve shoqërore, forcimin e ndjenjës së drejtësisë në marrëdhëniet njerëzore.

Hoxha shtoi se duke siguruar fuqizimin e sundimit të ligjit, ne i sigurojmë qytetarët tanë që organet shtetërore dhe të gjithë qytetarët pa dallim, i nënshtrohen ligjeve në fuqi. “Kosova si shtet i ri do të punojë edhe më shumë në fuqizimin e të gjitha mekanizmave për të ndërtuar dhe mbrojtur demokracinë kushtetuese, edhe pse janë bërë përpjekje të mëdha për fuqizimin e sundimit të ligjit, megjithatë ende mbetet shumë për tu bërë” tha Hoxha.

Në përmbyllje të fjalës së saj, Ministrja Hoxha theksoi se edhe personalisht, por edhe nga pozita e Ministres së Drejtësisë, pres me padurim përfundimin e punimeve të kësaj konference, me motivin për t’i trajtuar institucionalisht me seriozitetin më të madh rekomandimet që do të dalin nga diskutimet e panelistëve prezentë, në funksion të investimit për të përmirësuar demokracinë kushtetuese.

dhuri

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme