Hoxha: Liria nuk mund të burgoset, çlirimtarët tanë e kanë vendin në shtëpinë e vet

Prishtinë | 23 Gus 2026 | 08:32 | Nga Ekonomia Online

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha, ka thënë se pret pjesëmarrje masive në Marshin për Liri, që do të mbahet më 12 shtator, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

Mbrëmë në Klan Kosova Hoxha ka vlerësuar se qytetarët duhet të bashkohen përtej dallimeve politike dhe të përcjellin mesazhin e tyre për drejtësi.

“Besoj që do të jetë masiv dhe besoj që njerëzit, ashtu siç kanë bërë edhe herat e kaluara, do të jenë aty pa dallim partie, gjinie, gjeografie dhe kulture”, tha Hoxha.

Ajo ka theksuar se pjesëmarrësit në marsh mund ta përcjellin mesazhin e tyre përmes pranisë, pankartave dhe mesazheve që do të mbajnë.

“Besoj që njerëzit do të vijnë të gjithë, kanë dëshirë që të jenë aty përmes prezencës, përmes afisheve, përmes mesazheve që i kanë në duart e tyre, në bluzat e tyre, ta përçojnë edhe dashurinë, por edhe kërkesën që liria duhet të jetë e lirë”, është shprehur ajo.

Hoxha ka dhënë edhe një mesazh të drejtpërdrejtë për ish-luftëtarët e UÇK-së që po përballen me proceset gjyqësore në Hagë.

“Liria nuk mund të burgoset dhe çlirimtarët tanë Kosova i pret, sepse kanë vendin në shtëpinë e vet”, ka deklaruar Hoxha.

Ajo ka falënderuar shoqatat e dala nga lufta, ish-të burgosurit politikë dhe të gjithë ata që kanë kontribuar në organizimin e aktiviteteve në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.

Të ngjashme