Nën organizimin e Shtëpisë së Evropës në Paris (Maison de l’Europe), Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha mori pjesë në diskutimin me temën: “Kosova 20 vite pas luftës dhe perspektiva e saj evropiane”, ku foli për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe vizionin e Kosovës drejt integrimit në BE.
Kosova ka shënuar arritje në fushën e reformave, plotësimit të kritereve për liberalizim të vizave, dhe mbetemi të vendosur që vazhdimisht të përmirësojmë rezultatet në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ceku Hoxha.
Ne e kemi të qartë se ku po shkojmë, shtoi ajo, por ne kemi nevojë për mbështetje dhe për një qasje konstruktive nga ana e BE-së, duke qenë se vizioni ynë për të ardhmen është i lidhur ngushtë me anëtarësimin tonë në BE.
Duke shprehur nevojën për liberalizim të vizave, Hoxha vlerësoi se ky proces do të ndikonte në zhvillimin ekonomik, kulturor dhe arsimor – sidomos në zgjerimin e mundësive për rininë tonë, si përfaqësuese e vlerave të BE-së.
Lidhur me zhvillimet e fundit në vend, Hoxha vuri në dukje se Kosova ka dëshmuar që është një shembull i bashkëpunimit, promovuese e marrëdhënieve të mira fqinjësore, faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon dhe më tej – në rrugën tonë drejt BE-së.
Në fund, Hoxha i shprehu falënderim shtetit francez për mbështetjen dhe ndihmën e vazhdueshme ndaj Kosovës para dhe gjatë procesit të shtetndërtimit, si aleat dhe partner i besueshëm.