Ministria e Integrimit Evropian ka mbajtur takimin vjetor me shtetin e Suedisë.
Në pjesën hyrëse të takimit, ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha tha se qëllimi i këtyre takimeve është rritja e bashkëpunimit mes dy shteteve, raporton Ekonomia Online.
“Objektivi i përgjithshëm i bashkëpunimit për zhvillim është që të lehtësojnë integrimin në Bashkimin Evropian. Bashkëpunimi suedez për reforma është i fokusuar në zhvillimin ekonomik,në demokraci”.
Sipas Hoxhës, shuma e përgjithshme e bashkëpunimit mbërrin deri në 70 milionë euro.
“Shuma e përgjithshme mbërrin 70 milionë euro. Ne do të shqyrtojmë projektet e përkrahura si dhe do të shohim mundësinë të rrisim këtë bashkëpunim aty ku ka mundësi. Ne presim që asistenca të vazhdojë e të intensifikohet edhe më tutje duke pasë parasysh momentin vendimtar që gjendet Kosova. Ministria e Integrimit Evropian do të vazhdojë të punojë për të çuar refomat përpara si pjesë e integrimit tonë”.
Në anën tjetër, edhe ambasadori i Suedisë në Kosovë shprehu interesimin për vazhdimin e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Suedisë, raporton EO.
Henrik Nilsson tha se Suedia në Kosovë me interes të veçantë trajton çështjet e tregtisë, barazisë gjinore, e të tjera.
“Angazhimi i Suedisë për Kosovën është që nga viti ’99, kemi punuar me ju për vite të tëra, planifikojmë se do ta vazhdojmë edhe në të ardhmen. Zotimi ynë është afatgjatë. Bashkëpunimi në refoma është një fushë që po punojmë për sundimin e ligjit”.
“Suedia i jep prioritet siç është barazia gjinore, mjedisi, lehtësimi i tregtisë dhe besojmë që ekonomitë në tranzicion janë një shembull shumë i mirë. Nëse ndërveprojmë dhe bëjmë biznes më tepër është mënyra më e mirë të shkojmë përpara”.