Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ndonëse ka kërkuar përkushtim nga kabineti qeveritar për përmbushjen e kritereve të agjendës evropiane, është shprehur e bindur se obligimet nga ERA do të përfundohen në afatin e dhënë.
“Puna jonë e përbashkët ka bërë që të shënojmë progres në tre shtyllat e agjendës së reformave. Prioriteti i mbetur nga agjenda evropiane transferimi i 7 agjensioneve dhe pakoja e ligjeve për administratën publike jemi dakorduar që të bëhet deri në fund të shtatorit. Prandaj edhe në sektorin e drejtësisë për Kodin Penal që fatmirësisht i kemi sot”.
“Të gjitha do të përfundojnë deri në fund të shtatorit. Me këtë përkushtim do të arrijmë që afatin e shtatorit ta zëmë dhe që agjenda evropiane e reformave të përmbushet. Nuk mjafton bashkëpunimi vetëm i ministrive, jemi duke bashkëpunuar edhe me institucionet e tjera siç është Kuvendi. Afati i fundit për zbatim të agjendës së reformave duhet të përfundojë në fund të shtatorit pasi u tha që kjo agjendë do të duhej të përfundonte në fund të vitit 2017”.
Pas prezantimit të shefes së Zyrës të BE-së, ministrat të cilët preken nga obligimet e agjendës evropiane prezantuan planet dhe punët e bëra, raporton Ekonomia Online.
Ata premtuan se do t’i përfundojnë punët që iu takojnë në kohë në mënyrë që implementimi i agjendës evropiane të bëhet në kohë.
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, bëri të ditur se në këtë mbledhje do të miratohen dy projektligje të rëndësishme.
Ndërsa ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, kërkoi nga Apostolova që të mos përkrahet krijimi i agjensioneve të reja derisa të përfundon reformimi i agjensioneve aktuale.
Ministri i Financave, Bedri Hamza, teksa prezantoi detyrat e përfunduara tha se nuk kanë mbetur edhe shumë punë për të përfunduar të gjithat obligimet që bien mbi Ministrinë që ai drejton.