Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, vizitoi sot Gjykatën Themelore në Pejë, në kuadër të vizitave të cilat po i bën nëpër gjykatat e vendit.
Në takimin me kryetarin e kësaj gjykate, Kreshnik Radoniqi, Hoxha foli për arsyet e vizitës dhe gjendjen në sistemin e drejtësisë, për reformat dhe prioritetet e Ministrisë së Drejtësisë.
Kreu i MD-së ka premtuar kushte më të mira të punës për gjyqtarët, sikurse dhe shtimin e numrit të gjyqtarëve, raporton Ekonomia Online.
“Në kuadër të kompetencave të ministrie është që të lobojmë te Ministria e Financave që të ndahet buxhet edhe më i madh. Kjo është edhe njëra ndër çështjet qe e kemi diskutuar në takim. Jam dhe përkrahëse e rritjes së numrit të gjyqtarëve dhe punëtorëve profesionalë, por edhe të ofrimit të kushteve sa më të mira do të thotë kushtet fizike, objektin nëpër gjykata dhe do të kenë përkrahjen time dhe do të shohim se çfarë do të bëjmë”, tha Hoxha, në një prononcim për Ekonomia Online.
“Një nga ndryshimet pozitive që presim të ndodhin pas rishikimit funksional në sektorin e sundimit të ligjit, është hartimi i strategjisë së sektorit të sundimit të ligjit, strategji e cila do të jetë baza e reformave të vazhdueshme që do të ndërmerren në sektorin e sundimit të ligjit, duke përfshirë edhe gjyqësorin. Funksionimi efektiv i gjykatave themelore është kyç për sundimin e ligjit”, theksoi ministrja Hoxha.
Mes tjerash, ajo vuri në dukje rëndësinë e pjesëmarrjes gjithëpërfshirës në rishikimin të legjislacionit. “Pjesëmarrja juaj aktive duke kontribuar jo vetëm me punë në grupe punuese por edhe duke i komentuar me shkrim amendamentet e caktuara që ju i hasni në praktikë, do të jenë të mirëpritura dhe do të rishikohen nga grupi punues gjatë rishikimit të legjislacionit, ngase ligjet e aprovuara duhet të jenë edhe të aplikueshme”.
Kryetari i Gjykatës në Pejë, Kreshnik Radoniqi, mirëpriti vizitën e ministres Hoxha, duke theksuar se vizitat e tilla ndikojnë gjithanshëm në punën e tyre, sepse është dëshmi se gjyqësori ka mbështetjen e plotë nga institucionet qendrore. “Përkushtimi ynë për ngritjen e cilësisë së gjyqësorit është i vazhdueshëm. Konsideroj se perceptimi i punës së gjyqësorit nuk është në pajtim me punën që bëhet, ne bëjmë punë të çmueshme dhe kontribuojmë çdo ditë për fuqizimin e sundimit të ligjit”, theksoi Radoniqi.
Në diskutim u mirëprit dhe vlerësua lartë vizita që i kontribuon jo vetëm komunikimit të drejtpërdrejtë në funksion të sundimit të ligjit, por edhe ngritjes së transparencës, ngase u vlerësuar se gjykatat themelore janë qenësore edhe në ngritjen e perceptimit pozitiv të gjyqësorit.