Në mbledhjen e Kabinetit qeveritar, Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, theksoi se një ndër prioritetet e para është Agjenda e Reformave Evropiane dhe në përgjithësi obligimet që dalin nga MSA-ja.
“Sfidat e sundimit te ligjit, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, në përputhje të plotë me kompetencat dhe përgjegjësitë kushtetuese, ligjore të institucioneve, kërkojnë bashkërendim institucional efektiv të aktiviteteve”, theksoi Ministrja Hoxha.
“Jemi duke punuar me të gjitha institucionet, në konsultim me Komisionin Evropian dhe Zyrën e BE-së sa i përket intensifikimit të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Rezultatet e këtyre angazhimeve, sigurojnë për Republikën e Kosovës perspektivën evropiane”, theksoi Ministrja Hoxha.
Ministrja ritheksoi gatishmërinë dhe përkushtimin e saj për të punuar me institucionet vendore dhe të BE-së, me përfshirjen aktive të qytetarëve dhe shoqërisë civile në implementimin e MSA-së duke i sensibilizuar të gjitha institucionet që të ndërmarrin reformat e nevojshme në funksion të fuqizimit të sundimit të ligjit.