Gjatë vizitës në Berlin, ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, ka takuar deputetin e Bundestagut, Karl-Heinz Brunner, me të cilin diskutoi për mundësitë e reja të thellimit të bashkëpunimit.
Ministrja Hoxha, theksoi se angazhimi i vazhdueshëm i Ministrisë së Drejtësisë është i përqendruar në rishikimin funksional të sektorit të sundimit të ligjit dhe fuqizimin e këtij sektori.
“Angazhimi ynë permanent është i përqendruar në fuqizimin e sektorit të sundimit të ligjit, andaj, përkrahja e Komisionit për çështjet ligjore të Bundestagut ka rëndësi të veçantë për drejtësinë tonë. Përkrahja Juaj për fuqizimin e sundimit të ligjit në Kosovë do të jetë shumë e mirëseardhur”, theksoi ministrja Dhurata Hoxha, duke vlerësuar lartë përkrahjen edhe për hartimin e Kodit civil sipas modelit gjerman.
Deputeti i Bundestagut, Dr Karl-Heinz Brunner, theksoi se përkrahja e Gjermanisë që ka dhënë deri tash, në të ardhmen do të jetë edhe më e madhe, sepse, procesi integrues i Kosovës, ndër komponentët kryesore ka sundimin e ligjit.
“Ne kemi dhënë përkrahje dhe do të vazhdojmë të përkrahim rrugën euro-integruese të Kosovës”, ka thënë Brunner, duke theksuar se ligjet e standardeve evropiane të miratuara, zbatimi i tyre dhe fuqizimi i sundimit të ligjit janë qenësore në këtë proces.