Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, vizitoi shkollën fillore “Faik Konica” në Prishtinë, me rastin e 10-vjetorit të Pavarësisë.
Për të shënuar simbolikisht 10 vjet shtet, ajo ka takuar dhjetëvjeçarët kësaj shkolle të kryeqytetit, raporton Ekonomia Online.
Ministrja para nxënësve tha se shteti i Kosovës i ka vetëm 10 vjet, por është krijuar pas përkushtimit dhe punës mëse njëshekullore.
E nxënësit i drejtuan asaj pyetje mjaft “të vështira”. Një prej tyre ishte pse Kosova nuk është në Evropë.
“Ne jemi në Evropë, jemi duke punuar për t’u bërë pjesë e BE-së”, ishte përgjigja e saj.
Ministrja Hoxha tha se vizita me fëmijët të cilët lindën në vitin e pavarësisë është ditë e veçantë.
“Për mua është një ditë shumë e veçantë, sepse u takova me fëmijët të cilët lindën pikërisht në vitin e pavarësisë. Me të vërtet këta fëmijë më impresionuan me pyetjet e tyre. Besoj që vërtet në Kosovë po rriten gjenerata të mrekullueshme”, tha ajo
Drejtoresha e shkollës fillore “Faik Konica”, Xhylije Balaj, tha se vizita e ministres ishte ditë e veçantë për nxënësit e kësaj shkolle.
“Kemi nxënës të mrekullueshëm, dhe besoj që këta do e ndjekin rrugën e dijes, pikërisht sikur Faik Konica, emrin e të cilit e mban shkolla jonë”, tha ajo.