Kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhaj, ka uruar Lëvizjen Vetëvendosje për rezultatin, derisa ka bërë të ditur se nuk do të jenë bashkë me ta në qeverisje.
“Rezultati e vë Lëvizjen Vetëvendosje në vend të parë dhe PDK në vend të dytë. Unë dua që ta urojë Vetëvendosjen për rezultatin e arritur dhe dua që t’i ftojë që të punojnë, që ta forcojnë shtetin e Kosovës. PDK nuk do të jetë pjesë e Qeverisë me Lëvizjen Vetëvendosje, sepse jemi larg me orientimet tona politike”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se Kosova ka nevojë për stabilitet, dhe PDK zotohet që të jetë faktor i stabilitetit nga pozita kryesore në opozitë.
Hoxhaj ka thënë se kjo fushatë nuk ka qenë e lehtë për PDK.
“Jam krenar për unitetin dhe përkushtimin e pashembullt që kemi treguar si PDK”, ka thënë ai.
Fjala e plotë e krytarit Enver Hoxhaj:
Të dashur qytetarë,
Në emër të Partisë Demokratike të Kosovës dua t’ju falënderoj të gjithëve që sot keni dalë për të votuar. Edhe një herë, Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj, përmes një procesi zgjedhor shembullor, kanë dëshmuar se jemi një demokraci e re, por pa dyshim e konsoliduar dhe e fortë.
Procesi i sotëm zgjedhor, u tregua shembull edhe për vendet e rajonit dhe më gjerë.
Populli i Kosovës ka folur, dhe vullneti i tyre duhet respektuar. Rezultati i sotëm, që vë Lëvizjen Vetëvendosje të parën dhe PDK-në të dytën, për ne është mesazh i qartë.
E uroj Lëvizjen Vetëvendosje për rezultatin dhe i inkurajoj që të punojnë me përgjegjësi për realizimin e premtimeve të tyre para qytetarëve.
Natyrisht, Partia Demokratike e Kosovës nuk do të jetë pjesë e qeverisë me Lëvizjen Vetëvendosje. Vlerat dhe orientimet tona politike janë larg njëra-tjetrës dhe ne nuk do të bëjmë kompromis me integritetin e këtyre vlerave që i kemi zhvilluar tradicionalisht, bashkë me qytetarët e Kosovës. Përkundër kësaj, Kosova ka nevojë për stabilitet dhe ne zotohemi që të jemi faktor stabiliteti nga pozicioni i partisë udhëheqëse të opozitës.
Partia Demokratike e Kosovës do të bëjë përpjekje maksimale që të sigurojë funksionim normal të parlamentit, në mënyrë që të mundësohet prodhimi i rezultateve konkrete që rrisin mirëqenien e qytetarëve në planin afatgjatë.
Dua që nga zemra t’i falënderoj të gjithë votuesit e Partisë Demokratike, të gjithë anëtarët dhe mbështetësit tanë. Kjo fushatë ka qenë e vështirë, marrë parasysh rrethanat e rënda nëpër të cilat ka kaluar PDK-ja.
Jam krenar me unitetin dhe përkushtimin e pashembullt që keni treguar secili prej jush, që jeni angazhuar për fitoren e PDK-së dhe Rimëkëmbjen e Kosovës, përmes shtyllave të programit tonë. Për gjithë pasionin dhe punën e dëshmuar nuk kam gjë tjetër përveç mirënjohjen më të thellë.
PDK në këto zgjedhje ishte e fortë, e bashkuar, e rimëkëmbur. PDK është bërë, edhe një herë, faktor stabiliteti për shtetin e Kosovës. PDK shumë shpejt do ta rimëkëmbë Kosovën. Këtë jua premtoj.
Faleminderit!