Hoxhaj: Politika e jashtme pa asnjë rezultat, vetëm me vizita turistike

Prishtinë | 18 Dhj 2023 | 09:23 | Nga Ekonomia Online

Ish-ministri i jashtëm i Kosovës Enver Hoxhaj përmes një shkrimi ka reaguar ndaj Kryeministrit Kurti, i cili ka bërë të ditur si rezultat të fundvitit bashkimin e Asociacionit të Arkitektëve të Kosovës në Këshillin e Arkitektëve të Evropës.

Hoxhaj ka thënë se kjo është meritë e vetë arkitektëve dhe jo meritë e politikës kosovare, duke shtuar se Kosova këtë vit e përmbylli pa asnjë rezultat.

Nënkryetari Kuvendit të Kosovës, Enver Hoxhaj, përmes një statusi në rrjetin social Facebook, ka thënë se çoroditja e politikës së jashtme të Kosovës dhe, siç e quajti ai, kultura e papërgjegjshmërisë së kësaj qeverie “tregon se Kryeministri Kurti në vend se ta kishte si rezultat të fundvitit marrjen e statusit të kandidatit të BE-së, marrjen e Partneritetit për Paqe të NATO-s, anëtarësimin në Këshllin e Evropës dhe anëtarësimin e Kosovës në ndonjë organizatë ndërkombëtare, sot bëri të ditur se Asociacioni i Arkitektëve të Kosovës i është bashkuar Këshillit të Arkitektëve të Evropës si anëtare vëzhguese, që është meritë e vetë arkitektëve dhe jo e politikës së Kosovës!”.

Hoxhaj, tutje shkroi se kjo tregon se Kosova e përmbyllë këtë vit pa asnjë rezultat të vetëm dhe, siç u shpreh ai, vetëm me lajme për vizitat jashtë vendit që s’kanë qenë asgjë më shumë se vetëm turizëm politik. 

“Çfarë ngadhnjimi qesharak i diplomacisë sot dhe çfarë mjerimi politik!”, përfundoi shkrimin deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, në Facebook. 

Të ngjashme