Hoxhaj në Mynih, takon dhjetëra liderë, ministra e zyrtarë të shteteve evropiane

Prishtinë | 18 Shk 2024 | 09:59 | Nga Ekonomia Online

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoxhaj, gjatë pjesëmarrjes në Konferencën për Siguri në Mynih, ka zhvilluar dhjetëra takime ditore me krerë të shteteve, ministra e ekspertë të politikave të sigurisë.

Ish-ministri i jashtëm i Kosovës, tani deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, që nga dita e parë e Konferencës së Sigurisë në Mynih, ka njoftuar përmes rrjetit social për takimet që ka zhvilluar atje. Në Mynih po qëndrojnë edhe kryeministri Kurti dhe ministrja e Jashtme Gërvalla. 

Takimin e parë, Hoxhaj e pati me diplomatin dhe ish-kryeministrin e Suedisë, Carl Bildt, e më pas vazhdoi me Toomas Hendrik Ilves, ish-presidentin estonez, të cilin e falenderoi për mbështetjen e fuqishme që i ka dhënë ai dhe shteti estonez Kosovës në rrugën e saj drejt zhvillimit dhe integrimit. 

Pjesë e kësaj Konference, ishte edhe zv.presidentja e ShBA-së, Kamala Harris, për të cilën Hoxhaj shpërndau edhe një diskutim

të saj që e pati bashkë me kryetarin e Konferencës, Christoph Heusgen, rreth rolit të ShBA-së në botë.

Por, një takim i rëndësisë më të madhe që zhvilloi Hoxhaj, ishte takimi me ish-sekretarin e shtetit amerikan, John Kerryn, me të cilin biseduan për Kosovën dhe rajonin. 

Më pas, Enver Hoxhaj, takoi ish-ministren e jashtme të shtetit të Izraelit dhe ish-lideren e opozitës izraelite, Tzipi Livni dhe e përmbylli ditën e parë të pjesëmarrjes në Konferencën e Sigurisë me takim Viola von Cramon, raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian.

Dita e dytë për Enver Hoxhajn, dita e Pavarësisë së Kosovës e gjeti në Mynih, dhe e filloi atë me takim me Johannes Hahn, Komisionerin Evropian për Buxhet dhe Administrim, me të cilin folën për situatën aktuale në Ballkan dhe aplikimin e Kosovës për statusin e kandidatit të BE-së. 

Gjithashtu, Hoxhaj takoi edhe Arnaud Danjean, nënkryetar i Grupit të Partisë Popullore Evropiane, siç e quajti atë “një zë i fuqishëm për Kosovën në Francë dhe në Parlamentin Evropian!”. Vazhdoi tutje, duke zhvilluar takim edhe me Florian Hahn, përfaqësues i Grupit Parlamentar CDU/CSU në Bundestag për politikë të mbrojtjes. 

Ndër takimet e pasditës së djeshme ishte edhe takimi në mes të deputetit Enver Hoxhaj dje ministrit të jashtëm të Austrisë, Aleksander Schallenberg dhe menjëherë pas tij, Hoxhaj takoi edhe, siç e quajti “Takim me intelektualin tim më të preferuar”, Timothy Garton Ash, historianin britanik dhe profesor në Universitetin e Oxfordit. 

Për ta përmbyllur ditën e dytë të pjesëmarrjes në Konferencë, Hoxhaj takoi atje edhe kryeministrin shaiptar të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferin, ministrin e jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmanin dhe Ambasadorin e Maqedonisë Veriore në Berlin, Ylber Sela. 

Të ngjashme