Hoxhaj në Prizren: Më 14 shkurt do të votohet modeli i PDK-së për Rimëkëmbje, kundrejt atij autoritar të VV-së

Prishtinë | 09 Shk 2021 | 20:10 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh kandidati për kryeministër, Enver Hoxhaj, ka mbajtur tubim elektoral në Prizren ku ka prezantuar Planin e PDK-së për Rimëkëmbje.

Hoxhaj ka theksuar se në zgjedhjet e 14 shkurtit ka dy modele, ai i PDK-së që nënkupton rimëkëmbje për shtetin dhe qeverisje me qytetarët, si dhe ai i Vetëvendosjes që është model autoritar që kërcënon e fyen qytetarët.

“Në këto zgjedhje ka dy modele, një model është rimëkëmbja e cila është aleancë politike e PDK-së me qytetarët dhe një model tjetër i cili është i LVV-së i cili është model autoritar, i cili është një model i shamiave të kuqe që janë simbole të sistemit totalitar, i cili është model i keqqeverisjes në nivel lokal dhe ju në Prizren e dini që Mytaher Haskuka nuk ka qenë në gjendje për tri katër vitet e fundit as bërllogun me e hjek prej rrugës se le me qeverisë”, ka thënë ai.

Hoxhaj duke thënë se PDK-ja është e vetmja parti që garon me program të qartë politik, premtoi rimëkëmbje për ekonomi, shëndetësi, arsim dhe politikë të jashtme.

“Ne në këto zgjedhje garojmë me një program të qartë politik dhe programi jonë nënkupton rritje të pagës mesatare për të gjithë ata të cilët janë në sektorin privat në 300 euro. Mbështetje masive për sektorin privat për ndërmarrjet e vogla, për ndërmarrjet e mesme, për ndërmarrjet e mëdha. Ne në këto zgjedhje garojmë për ta përmirësuar gjendjen në shëndetësi dhe kemi plan të qartë se çka do të bëjmë në sektorin e shëndetësisë duke e sjell vaksinën në Kosovë. Ne në këto zgjedhje garojmë se si do ta normalizojmë mësimin në shkolla fillore dhe në shkolla të mesme të Kosovës për shkak të pandemisë. Ne në këto zgjedhje garojmë që ta përmbyllim shtetndërtimin e Kosovës dhe ju e keni pa që letra e presidentit Biden dërguar në Serbi është dëshmia më e mirë se si PDK ka qenë në anën e drejtë të historisë”, ka thënë ai.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme