Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka deklaruar se në Kosovë, sipas tij, nuk funksionon më rendi kushtetues dhe se i vetmi proces politik legjitim në këtë situatë është konstituimi i Kuvendit.
Përmes një videoje të publikuar në Facebook, Hoxhaj ka thënë se nuk sheh arsye për pjesëmarrje në procese të tjera politike, përderisa Kuvendi nuk është konstituuar.
“Ne nuk jetojmë më në rendin kushtetues, por në rendin e Albin Kurtit. Republika parlamentare dhe demokracia në Kosovë janë shuar. Krejt çfarë po shohim është një regjim personal, autoritar”, ka deklaruar Hoxhaj.
Ai ka thënë se në këto rrethana nuk ka kuptim pjesëmarrja në procese të tjera politike, duke kërkuar që seanca për konstituimin e Kuvendit të thirret sa më shpejt.
“Prandaj, nuk ka kuptim që të marrim pjesë në asnjë proces politik kushdo që e fton atë. I vetmi proces politik legjitim është konstituimi i Kuvendit dhe kryesuesi më i vjetër, sipas moshës, duhet ta ftojë seancën sa më shpejt”, ka thënë ai.
Hoxhaj ka paralajmëruar se do të vazhdojnë veprimet politike si brenda, ashtu edhe jashtë Kuvendit.
“I siguroj qytetarët e Kosovës që do të ndërmarrim çdo gjë brenda Kuvendit dhe jashtë Kuvendit për ta rikthyer rendin kushtetues, demokracinë dhe parlamentarizmin në Kosovë”, ka deklaruar Hoxhaj.
Deklarata e Hoxhajt vjen në ditën kur Albulena Haxhiu ka ftuar liderët e partive politike në një takim për të diskutuar daljen nga kriza politike.
PDK, LDK dhe Aleanca e kanë refuzuar ftesën për takimin e sotëm, ndërsa pritet që në të të marrë pjesë Albin Kurti.