Humbin jetën dy të rinj në komunikacion dhe lëndohen 17 të tjerë

Prishtinë | 12 Nën 2017 | 11:21 | Nga

Policia ka njoftuar se gjatë ditës së djeshme në rajonin e Pejës kanë humbur jetën dy të rinj në komunikacion, ndërsa kanë pësuar lëndime 17 persona të cilët po trajtohen në spitalin rajonal të Pejës dhe në QKUK.

Mbrëmë në rrugën “UÇK” në Pejë ka ndodhur një aksident trafiku në të cilin janë përfshirë dy vetura, lëndime kanë pësuar gjashtë persona ndërsa njëri prej tyre është dërguar pa shenja jete në QKUK, bëhet fjalë për D.R. (1992). Viktima ishte pasagjer në njërën prej veturave të aksidentuara, shkruan Gazeta Express.

Po ashtu policia ka njoftuar se mbrëmë në fshatin Gllogjan të Pejës pas një asidenti ka ndërruar jetë edhe A.K. (1998). Viktima ka shkaktuar vetë-aksident, ndërsa janë lënduar edhe gjashtë të tjerë.

Policia ka njoftuar se të gjitha rastet po hetohen nga hetuesit rajonal të komunikacionit rrugor. Ndërkohë që vazhdimisht po bëjnë apel për respektimin e shenjave të komunikacionit dhe përshtatjen e shpejtësisë.

Bashkëngjitur gjeni edhe apelin e policisë për kujdes në komunikacion:

Apel nga Policia e Kosovës për shtim të vigjilencës gjatë drejtimit të automjeteve në trafik

Duke iu referuar gjendjes së përgjithshme në trafikun rrugor ku gjatë 24 orëve të fundit kanë ndodhur, tri (3) aksidente të rënda të cilat kanë rezultuar me pasoja fatale, ku dy (2) persona kanë humbur jetën.

Me qëllim të parandalimit të aksidenteve të mundshme në trafik, Policia e Kosovës apelon tek të gjithë qytetarët e vendit, që të respektojnë dispozitat ligjore që dalin nga ligji për rregullat e trafikut rrugor, të respektojnë shenjat e trafikut, kufizimet e shpejtësisë, t’u përshtaten kushteve të rrugës, si dhe të mos e përdorin telefonin gjatë vozitjes.

Të gjithë drejtuesve të automjeteve u bëjmë thirrje që të jenë të kujdesshëm gjatë qarkullimit në rrugë, posaçërisht tani kur kanë filluar ndryshime atmosferike, reshje dhe shfaqje të mjegullave, gjatë natës dhe në orët e hershme të mëngjesit kur mund të paraqiten edhe ngrica të cilat vështirësojnë qarkullimin.

Policia e Kosovës me njësitet e saj vazhdon të monitoroj dhe menaxhoj situatën në trafikun rrugor nëpër të gjitha rrugët e vendit edhe në Rajonin e Pejës dhe aty ku pjesëmarrësit bien ndesh me rregullat në trafik, masa ndëshkuese ligjore do të aplikohen me qëllim të parandalimit të rasteve të aksidenteve, në veçanti aksidenteve me fatalitet.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme