Kryeministrat konservatorë polak dhe hungarez theksuan sot se qëndrimi i tyre i përbashkët kundër migracionit po fiton gjithnjë e më shumë terren në Evropë, pavarësisht presioneve të ushtruara ndaj dy vendeve nga Brukseli.
“Era po kthehet në drejtimin tonë”, deklaroi gjatë vizitës së parë zyrtare në Budapest kryeministri i ri polak, Mateusz Morawiecki duke e vënë theksin tek sinjalet në gjithnjë e më shumë vende, gjatë zgjedhjeve të ndryshme me rritjen e partive kundër imigracionit.
“Politika migratore evropiane nuk funksionon, është një dështim spektakolar. Është e qartë që popujt evropianë nuk e duan imigracionin, edhe pse disa vende vazhdojnë të promovojnë këtë politikë që ka dështuar”, theksoi homologu hungarez, Viktor Orban.
Kundërshtarë të ashpër me kuotat detyruese për shpërndarjen e migrantëve brenda BE-së, Polonia dhe Hungaria u dërguan në muajin dhjetor, së bashku me Republikën Çeke, para Gjykatës për Drejtësi të BE-së për refuzim të përmbushjes së detyrimeve të tyre përsa i përket pritjes së refugjatëve.
“Ne nuk e ndryshojmë politikën tonë përsa i perket migracionit”, theksoi Morawiecki.
Orban nënvizoi se do të vazhdonte të refuzonte kuotat në vitin 2018, vit që sipas tij pritet të jetë ai i përballjeve të mëdha dhe i mundësisë së fundit në këtë çështje brenda BE-së, përcjell Atsh.
Ai përshëndeti gjithashtu mbërritjen e konservatorit, Sebastian Kurz, mbështetës i një linje të ashpër evropiane përsa i përket migracionit, në kancelarinë austriake.
“Austria është një shembull demokracie në Evropë”, theksoi ai.
“Një popull që nuk e dëshiron imigracionin ka zgjedhur një kancelar që nuk e do imigracionin”, nënvizoi ai.
“Ju mund ta quani populizëm nëse doni, por ajo që populli do duhet të prevalojë”, shtoi ai.
Vizita e Morawieckit në Hungari përbën vizitën e parë dypalëshe të kryeministrit polak që prej ardhjes në krye të qeverisë më 11 dhjetor.