Hykmete Bajrami: LDK synon të hyjë e vetme në zgjedhje – partisë fituese i takon Kryeministria

Prishtinë | 08 Gus 2019 | 18:47 | Nga Ekonomia Online

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka bërë të ditur se të gjithë anëtarët e kësaj partie janë të pajtimit që LDK të hyjë e vetme në zgjedhje.

Ajo kështu tha në emisionin Info Magazine në Klan Kosova, duke theksuar se cilado parti që del fituese nga këto zgjedhje, e meriton postin e Kryeministrit.

“Tani jemi në një situatë të pashmangshme. Ne dje kishim disa takime në Këshillin e Përgjithshëm, ku kemi diskutuar në pika të shkurtra edhe rreth kësaj teme. Nuk mund të them që është vendim i prerë, por LDK preferon të garojë e vetme – është më mirë që të gjitha partitë ta praktikojnë këtë.

“Nuk mund të them se kjo është definitive sepse gjithçka varet nga lëvizjet e partive politike; ndërsa ne do të jemi në gjendje gatishmërie.

“Preferojmë të shkojmë vet në zgjedhje, kjo është dëshira e secilit anëtar të LDK-së. Para elektoratit do ta kemi një listë me plot personalitete ku kemi se çfarë t’u ofrojmë votuesve. Qytetarët i kanë sytë tek LDK-ja dhe ne asnjëherë nuk duhet t’i zhgënjejmë. Ne duhet të dimë se si të sillemi në situata të tilla”.

“Synojmë të hyjmë vetëm në zgjedhje sepse dëshirojmë që postin e Kryeministrit ta sigurojë partia më e votuar”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme