Hykolli: Të mirëpritura vendimet e Qeverisë që janë në të mirë të popullit

Prishtinë | 27 Tet 2021 | 18:39 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Atdhe Hykolli, ka thënë se vendimi i sotëm i Qeverisë së Kosovës për ndarjen e 100 eurove shtesë për rreth 200 mijë pensionistë në Kosovë dhe dyfishimin e ndihmës sociale është i mirëpritur.

Ai thotë se vendimet e tilla zbusin situatën e krijuar ekonomike nga pandemia, njofton Klan Kosova.

“Çdo vendim të Qeverisë që është në të mirë të popullit ne e pëkrahim, sepse megjithatë është një zbutje e kësaj situate dhe gjendje që për ne ka qenë e pritshme për shkak të COVID-19. Ne ishim të sigurt se do të vinim në një gjendje të tillë”.

“Çmimet kanë filluar të ngriten dhe kam përshtypjen se s’kemi shumë kontrolle, diku kemi çmime të ngritura dhe diku e kanë tejkaluar atë se nuk është e barabartë. Tash ne duhet të kemi një përkujdesje më strikte në raport me çmimet dhe duhet të kujdesemi që këto çmime t’i barasvlerësojmë dhe të punojmë shumë që të ulim trendin e ngritjes së çmimeve”.

Hykolli në Info Magazine tha se sipas asaj që po shihet jo vetëm në vendin tonë, por në vendet ballkanike është shqetësuese se mund të ketë lëvizje të çmimeve.

“Ne jemi sindikatë dhe po shpresojmë që as Qeveria dhe asnjë palë tjetër e interesit që në këtë gjendje që është vendi ynë. Çmimet po ngriten në ata artikuj që janë shumë esencialë, po shpresoj që nuk e shfrytëzojnë për zgjedhjet. Te ne zgjedhjet po ndodhin shpesh dhe situata po del jashtë kontrollit edhe nga ana sociale”.

“Për ne si sindikatë mbështetja financiare është e mirë, si qeveri le ta shohin më mirë këtë situatë sepse është më mirë që të përgatisim programe më të mira dhe t’i bindim njerëzit se ne mund të çojmë vendin përpara dhe ta ndërtojmë vendin tonë dhe jo të shfrytëzojmë situatat”.

Të ngjashme