Elseid Hysaj do të vijojë që të mbetet te Napoli, të paktën deri në muajin qershor. Mbrojtësi i përfaqësueses shqiptare dukej në prag divorci më “të kaltrit”, por me sa raportojnë mediat italiane situata nuk është më aq konfliktuale dhe 24- vjeçari mund të vijojë karrierën e tij tek klubi italian.
Përfaqësuesi i lojtarit shqiptar, Mario Giufreddi ka zhvilluar një takim “kokë më kokë” me drejtorin sportiv të Napolit Cristiano Giuntoli, megjithatë më e rëndësishme në këtë pikë ka qenë biseda mes menaxherit të Hysajt dhe trajnerit Carlo Ancelotti. Ky i fundit duket se ka dhënë garancitë e pretenduara nga përfaqësuesi i futbollistit shkodran duke e konsideruar mbrojtësin si një aset me vlera për skuadrën e kaltër.
Gjatë periudhës së fundit emri i Elseid Hysajt është përmendur shpesh duke e lidhur të ardhmen e shkodranit me Chelsea-in. Marrëdhënia e ngushtë me trajnerin e bluve Maurizio Sarrin dhe aktivizimi jo i rregullt tek Napoli kishin përforcuar zërat për një kalim të mundshëm tek klubi londinez.
Gjithsesi për momentin duket se ardhmja e Hysajt do të vijojë të jetë tek të kaltrit megjithëse në merkaton e dimrit mund të presim edhe një transferim të mundshëm te Chelsea.