I nxehti prek rekordin e shekullit

Prishtinë | 07 Sht 2020 | 19:15 | Nga Ekonomia Online

Termometri shënoi 49.4 gradë celsius në Kaliforni

I nxehti ka prekur rekordin e shekullit këto ditë në Kaliforni, duke ushqyer qindra vatra zjarri që kërcënojnë edhe zona të banuara.

Rekordi u shënua të dielën kur temperatura arriti gati 49.4 gradë Celcius. Një temperaturë e tillë është krejtësisht e pazakontë për Shtatorin pasi rekordi i kaluar ishte shënuar në Korrik të 2006-s me 48.3 gradë Celsius. Ekspertët ia venë fajin ngrohjes globale.

Banorët e Los Angelesit u dyndën plazheve për t’i shpëtuar sadopak të nxehtit. Autoritetet u bënë thirrje banorëve të kursejnë energjinë, pasi përdorimi në masë i kondicionerëve dhe freskuesve mund të çojë në kolaps sistemin e transmetimit.

Mbi 1 mijë vatra zjarri vijojnë të jenë aktive në të gjithë shtetin federal prej 15 Gushtit e që i kanë marrë jetën disa personave pranë zonave të banuara. Vatra më e fuqishme është ajo e ditëve të fundit në El Dorado, që kanë djegur gati 3 mijë hektarë pyje. Zjarri mendohet të jetë shkaktuar nga një grup të rinjsh që festonin me fishekzjarre.

Të ngjashme