Shefi i asamblistëve i Lëvizjes Vetëvendosje, Gëzim Sveçla, është sjellë para Gjykatës Themelore në Prishtinë, ku pritet të mbahet seanca dëgjimore për caktimin e masës së sigurisë, pasi ishte ndaluar nën dyshimin për demolim të mikrofonit në Kuvendin Komunal në Prishtinë.
Ndaj Sveçlës, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka paraqitur kërkesë për caktimin e arrestit shtëpiak, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Zëdhënësi i Prokurorisë, Gent Sallauka ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” se ndaj shefit të asamblistëve të VV-së është kërkuar caktimi i arrestit shtëpiak nën dyshimin për “Asgjësim apo dëmtim të pasurisë”.
“Ju njoftojmë se prokurori i rastit në këtë çështje penale ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve për shkak të veprës penale “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë” si dhe ka parashtruar kërkesë për caktimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj të dyshuarit, si masë për sigurimin e prezencës së tij në procedurë penale dhe se do të ndërmerren me kohë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore lidhur me këtë rast”, konfirmoi Sallauka.
Ndryshe, Sveçla përmes një postimi në rrjetin social Facebook, kishte thënë se veprimi i tij ishte “për të shpërfaqur një pazar të madh në Prishtinë”.