I suspenduar nga puna, ish-kryeprokurori i Gjakovës e mori rrogën e plotë të korrikut

Prishtinë | 09 Gus 2022 | 16:25 | Nga Ekonomia Online

I suspenduar nga puna me 14 korrik 2022, ish-Kryeprokurori i Gjakovës, Ramiz Buzhala, në fund të muajit korrik e mori pagën e plotë nga buxheti i shtetit. Atij në bankë i dolën si pagë nga Prokuroria e Shtetit fiks 2 mijë e 389 Euro e 50 centë, aq sa parashihet paga e plotë për pozitën që pati deri në gjysmën e muajit që shkoi.

Këshilli Prokurorial i Kosovës para gati 4 javësh ka suspenduar nga puna Ramiz Buzhalën, që deri më 14 korrik 2022 ishte Kryeprokuror i Prokurorisë Themelore të Gjakovës.

Suspendimi i Buzhalës nga puna erdhi pasi ai dyshohet se shpërndau pyetjet e testit të konkursit për bashkëpunëtorë profesionalë në Prokurorinë që ai e udhëhiqte.

E pikërisht derisa po e kryente këtë veprim të jashtëligjshëm, prokurori Buzhala, e ngatërroi numrin e kandidates së tij “favorite” me numrin e një gazetareje të BIRN-it. Kjo e fundit e publikoi në media mesazhin me pyetjet e testit, për të pasur me suspendimin nga puna e ish-kryeprokurori të Gjakovës.

Por, përkundër këtij vendimi të KPK-së që u morr në gjysmën e majit të shkuar, Ramiz Buzhalës në xhirollogarinë e tij bankare, në fund të korrikut i doli paga e plotë, raporton Gazeta Online Reporteri.net.

E për këtë nga Prokuroria e Shtetit fajin po e hedhin tek Thesari i Shtetit.

Valdrin Krasniqi, ushtrues i detyrës së sekretarit në Prokurorinë e Shtetit, derisa e konfirmon për Gazetën Online Reporteri.net se Buzhalës, muajin që shkoi, iu ekzekutua paga e plotë nga buxheti i shtetit, përkundër se ishte i suspenduar nga puna me vendim të KPK-së i njoftuar në publik me 14 korrik 2022, zbulon se në fakt KPK-ja vendimin e mori një ditë më vonë me 15 korrik 2022.

Shton se ata po atë ditë e kanë njoftuar edhe Thesarin e Shtetit për vendimin, por nuk është ekzekutuar vendimi nga këta të fundit.

“Duke qenë se vendimi është marrë me datën 15 është njoftu Thesari, por nuk është ekzekutu vendimi jonë”, tha Krasniqi në një bisedë me telefon.

Tashmë i vetëdijshëm për rastin, ai thotë që pret që muajin e ardhshëm ish-Kryeprokurorit të suspenduar të Gjakovës të mos i ekzekutohet paga e plotë.

“Këtë muaj është njoftu dhe presim që muajin e ardhshëm të njëjtit të mos i ekzekutohet paga”, shtoi për Gazetën Online Reporteri.net u.d. i sekretarit të Prokurorisë së Shtetit.

Të kontaktuar për sqarime rreth rastit, nga Thesari i Shtetit, deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk kanë kthyer përgjigje në pyetjet e Gazetës Online Reporteri.net.

Gazeta Online Reporteri.net po ashtu ka provuar të bisedojë në lidhje me rastin edhe me administratoren e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, Elida Tabakun. Por, kjo e fundit tha se është e infektuar me Covid.

Paga e plotë e një kryeprokurori të Prokurorive Themelore të Kosovës është fiks 2 mijë e 389 Euro e 50 centë.

Ndryshe, pas suspendimit të ish-Kryeprokurorit Ramiz Buzhala, Këshilli Prokurorial ka marr vendim për caktimin e prokurorit, Enis Gashi, ushtrues detyre të Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Gjakovës.

Pos suspendimit të Buzhalës nga puna, KPK njoftoi edhe se anuloi konkursin pyetjet e të cilit dyshohet se i shpendau tek një kandidate ish-kryeprokurori i Gjakovës. Përveç ndaj këtij të fundit, KPK ka njoftuar se ka filluar procedurën disiplinore edhe ndaj anëtarëve të komisionit përzgjedhës të shërbimit civil për zhvillimin e procedurës së rekrutimit, për pozitën Bashkëpunëtorë profesional për Prokuroritë Themelore në Gjakovë, Prizren dhe Pejë.

Të ngjashme