Samuel Eto’o e ka udhëzuar Xavin të rikthehet në Barcelonë derisa Lionel Messi është akoma duke luajtur, për të cilin thotë se është “Zoti i Futbollit”.
Xavi tashmë e gëzon emërtimin legjendë në Camp Nou, pasi ka luajtur për klubin në mbi 500 ndeshje në La Liga, gjatë qëndrimit 17-vjeçar në ekip si profesionist.
Tani, në moshën 40-vjeçare, ish-mesfushori spanjoll po punon si trajner te Al Sadd, ku i kishte kaluar katër vjet si futbollist.
Por për të flitet vazhdimisht se do të kthehet në Katalonjë, veçanërisht nëse pozita e trajnerit të Barçës lirohet.
Derisa Xavi në të kaluarën kishte theksuar se nuk ndihej gati për ta udhëhequr Barçën, Eto’o – i cili i ndihmoi klubit ta fitojë Ligën e Kampionëve më 2009 nën udhëheqjen e Pep Guardiolës – e ka nxitur ish-bashkëlojtarin e vet të mos presë shumë gjatë.
“Unë i kam thënë Xavit se çfarëdo që ndodh, ai duhet të kthehet në Barcelonë dhe ia kam bërë me dije se duhet ta bëjë këtë derisa Zoti i Futbollit është ende duke luajtur atje”, tha Eto’o për radion katalonase.
“Ai ka luajtur me të dhe kjo do t’ia lehtësojë punën atij më shumë se çdo kujt tjetër”, shtoi ai.