IAP: Shërbimet mjekësore në burgun e Lipjanit s’janë adekuate

Prishtinë | 28 Dhj 2016 | 14:57 | Nga

Mekanizmi Kombëtar për Parandalimin e Torturës i Avokatit të Popullit publikoi Raportin lidhur me monitorimin e Qendrës së Paraburgimit në Lipjan nga vizitat e realizuara më 7 shtator dhe 19 tetor 2016.

Raporti konstaton se kushtet ku mbaheshin të dënuarit ishin të mira, përderisa në pjesët e QPL ku mbaheshin të paraburgosurit, në disa qeli kishte pikuar uji dhe ato duhet të gëlqerosen, përderisa tualetet dhe banjat ishin në gjendje të mirë.

Gjatë vizitës nuk janë hasur qeli të mbipopulluara as te të dënuarit, as te të paraburgosurit. Lidhur me njoftimin nga drejtoria e QPL-së se planifikohet mbyllja e kësaj Qendre dhe akomodimi i të paraburgosurve në objektin e ri në Hajvali, MKPT do të monitorojë situatën dhe do të kërkojë informatat e përditësuara nga autoritetet kompetente.

Sa i përket kujdesit shëndetësor, raporti thekson se gjatë vizitës u konstatua se hapësirat ku ofrohen shërbimet mjekësore nuk janë të përshtatshme dhe janë të vogla, raporton Ekonomia Online.

Po ashtu, në Raport evidentohet edhe shqetësimi i personelit mjekësor lidhur me vonesat e përgjigjeve nga gjykatat në rastet e rekomandimeve të dërguara dhe kërkesave për leje të gjykatës për dërgim të paraburgosurve apo dënuarve për shërim jashtë QPL.

“Po ashtu, personeli mjekësor dhe drejtoria kanë shprehur shqetësimin për faktin se në QPL akomodohen edhe të paraburgosur me probleme mentale për shkak të mungesës së hapësirës për akomodim në Institutin e Psikiatrisë Forenzike apo ndonjë vendi tjetër adekuat”, thuhet në raport.

“MKPT e Avokatit të Popullit rekomandon autoritetet relevante që të ndërmarrin hapat e nevojshëm për vendosjen e këtyre personave në institucione të veçanta në pajtim me Rregullat Evropiane të Burgjeve të miratuara nga Këshilli i Evropës dhe Ligjin për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale”, thekson raporti.

Autoritet relevante, sipas raportit duhet të ndërmarrin hapa serioz për të mundësuar kontrolle të tilla sistematike në mënyrë që të detektohen me kohë sëmundjet e tilla dhe që, të sapo pranuarve, t’u bëhen kontrolle gjithëpërfshirëse mjekësore, si dhe inkurajon një qëndrim dhe praktikë të tillë të mos prezencës së zyrtarëve të sigurisë gjatë dhënies së shërbimeve mjekësore.

MKPT përshëndet qëndrimin e drejtorisë së QPL-së që vetëlëndimi të mos konsiderohet shkelje disiplinore, duke pasur për bazë se vetëlëndimi nuk përfshihet në grupin e shkelje disiplinore të parapara në nenin 102 të Ligjit për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale.

“Gjatë vizitës në këtë qendër, MKPT nuk pranoi asnjë ankesë nga të paraburgosurit dhe të dënuarit për keqtrajtim dhe përdorim të tepruar të forcës nga ana e zyrtarëve korrektues të kësaj qendre. Po ashtu, ekipi monitorues gjatë vizitës nuk ka pranuar asnjë ankesë për dhunë ndërmjet personave të akomoduar në këtë qendër, si në pjesën ku akomodohen të paraburgosurit, ashtu edhe në pjesën ku mbahen të dënuarit. Megjithatë, gjatë vizitës, disa zyrtarë korrektues kanë shprehur pakënaqësitë e tyre lidhur me kushtet e punës në përgjithësi”, thuhet në raport.

Të ngjashme