Ibrahimi konfirmon zbutjen e masave: Komunat janë zotuar për bashkëpunim me nivelin qendror

Prishtinë | 15 Pri 2021 | 13:42 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi ka konfirmuar për Ekonomia Online, se pas së dielës do të ketë lirim  të masave.

Ibrahimi sqaroi se pas takimit që kanë me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia kanë rënë dakord që 90% e kërkesave të tyre ku përfshihet edhe heqja e orës policore dhe fillimi i punës për gastronominë dhe qendrat tregtare, të zbatohen mas 18 prillit.

“Në takim u dakorduam që 90% e rekomandimeve të kërkesave të komunave do të gjejnë vend në vendimin që do merren në zbutjen e masave. Ishte zotim i ministrit Vitija që do të përkthehen në vendim qeveritar këto rekomandime tonat. Një kërkesë tjetër që u parashtrua nga Asociacioni jonë ishte që para finalizimit të masave të reja anti-Covid edhe njëherë bordi i Asociacionit të komunave të konsultohet në mënyrë që të shihen modalitetet më të mira për zbatimin e masave”, tha Ibrahimi.

Ai thotë se çdo lirim i masave duhet që të shoqërohet edhe me kujdes të shtuar si  nga institucione dhe qytetarët, por edhe me monitorim nga Instituti, Kombëtar i Shëndetit, Publik.

“Është kërkuar në detaje çdo kërkesë e Asociacionit, e përkrahur nga kryetarët  e komunave sepse i kemi elaboruar në detaje në bazë të praktikave që janë duke ndodhur në nivelin lokal dhe kryetarët kanë kërkuar që tu kushtohet kujdes edhe zhvillimit ekonomik-lokal sepse ajo po ka impakt në zhvillimin e qëndrueshëm të komunave. Shpresojmë dhe besojmë që do kemi një liberalizim të masave sa ishin deri më tani, mirëpo në përputhje me kërkesat e Institutit Kombëtar Publik”, theksoi ai.

Ibrahimi ka garantuar se kryetarët e komunave janë zotuar se do të bashkëpunojnë me nivelin qendror sa i përket respektimit të masave, raporton EO.

“Ishte një takim konstruktiv dhe konsultativ me kryetarët e komunave, dhe besojmë që një frymë e tillë do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Të gjithë kryetarët e komunave u shprehën të gatshëm për një bashkëpunim korrekt me nivelin qendrorë. U pa shumë mirë që zbatimi i masave ndodh në nivelin lokal dhe për këtë arsye një bashkëpunim i sinqertë mes nivelit qendrorë dhe lokal duhet të ndodh edhe në të ardhmen”, përfundoi ai.

Këto janë rekomandimet e Asociacionit për institucionet:

1. Qeveria të ketë prioritet vaksinimin e popullatës;

2. Komunat kërkojnë dhe rekomandojnë heqjen e orës policore;

3. Komunat rekomandojnë dhe kërkojnë që masat ndaj gastronomisë të tërhiqen dhe kërkojnë që gastronomia të zbatojë udhëzimet për distancën fizike edhe përmes tavolinave;

4. Komunat kërkojnë që të amandamentohet Ligji mbi Pandeminë;

5. Kërkohet nga Qeveria zbatimi i pakos së fundit të përkrahjes ekonomike dhe që të fillohet me një pako të re përkrahëse;

6. Të ketë bashkëpunim dhe bashkërendim të aktiviteteve në mes nivelit qendror dhe lokal në ruajtjen e shëndetit publik dhe ekonomik;

7. Bashkëpunimi në mes inspektoratit qendror dhe atij lokal nuk është në nivelin e duhur. Ky bashkëpunim duhet të fuqizohet në zbatim të masave në mënyrë që të ruhet shëndeti publik.

Të ngjashme