Idetë e idealet e jo frazat boshe janë armë të politikanëve realistë e racionalë

Prishtinë | 09 Pri 2020 | 11:25 | Nga Jakup Krasniqi

Në të gjitha kohërat, mendimtarë të ndryshëm janë përpjekur që politikës t’ia lënë terrenin realist dhe idealist. M. Blunçli thotë se: “Dy parimet (realist e idealist), janë të drejta kur plotësojnë njëri-tjetrin dhe të gabuara kur veçohen nga njëri-tjetri”.

Ndërsa njerëzit e zakonshëm shpesh mund të ndahen në tri e më shumë grupe. Disa politikën e shohin si mashtrim e gënjeshtër, si diçka të ligë që nuk ia vlen të merresh me të, disa të tjerë e shohin si burim të luftërave e konflikteve të ndryshme, disa të tjerë e shohin si krijuese të paqes dhe natyrisht disa të tjerë idealistë e në ndonjë rast mund të shkoj deri në ekstremin nacionalist.

Në shumë raste politika ka ditur të jetë: ” oportunizëm, përfitim dhe dhunë” – thotë Kroçe. Këtë e kemi parë më se miri mes dy luftërave botërore, ndonëse as në atë kohë nuk ka munguar “pakica intelektuale, rebele dhe jo konformiste”, sigurisht që kjo pakicë nuk mungon as sot. Ndërsa Giovanni Sartori në librin: “Edhe një herë për teorinë e demokracisë”, shkruan: ”… ai që harron politikën-luftë nuk mund ta çmojë politikën-paqe”. Se “çka është politika”, janë dhënë shumë mendime e përkufizime, por me duket se mendimin më racional e jep Giovanni Sartori në librin e përmendur kur thotë: “ Mendja racionale interesohet për shtetin dhe jo për qeverinë – dhe aq më pak për qeveritë – sepse këto të fundit janë të paqëndrueshme … ndërsa shteti është një strukturë e qëndrueshme”.

Edhe trajtimi i politikës si çështje publike mund ta kërkojmë nga Aristoteli i cili në veprën e tij :”Politika”, thotë se: “njeriu nga natyra është kafshë politike”, me çka mund të nënkuptohet se “njeriu mund të jeton mirë vetëm në një bashkësi politike” të organizuar mirë, mbi bazën e ligjeve dhe parimeve të përcaktuara mirë mes njerëzve që kanë përgjegjësi politike e publike. Në kohën moderne lypset bërë dallimin mes asaj që është jetë “publike” dhe asaj që është “vetjake”. Dhe politika si shkencë e ka bërë këtë. I gjithë aparati shtetëror( legjislativi, ekzekutivi, gjyqësori, prokuroria, ushtria, policia et.), janë sferë publike pasi edhe paguhen nga paraja publike, pra nga parat e tatimpaguesve. Ndërsa, “vetjake” ose private janë: shoqëria civile, familja, bizneset vetjake, sindikatat, klubet e ndryshme etj., që nuk financohen nga publiku, janë “vetjake”, pra gjithçka që është krijuar për ti shërbyer vetvetes e jo shoqërisë është vetjake. Politika publike nga shkencëtar të ndryshëm është trajtuar si “forma më e rëndësishme e veprimtarisë njerëzorë” (Hannah Arent), ndërsa sipas Rousseau-t “vetëm përmes pjesëmarrjes së drejtpërdrejtë e të vazhdueshme të të gjithë qytetarëve në jetën politike mund të drejtohet shteti nga e mira e përgjithshme”. Për liberalet kjo është një formë e ndërhyrjeve të padëshirueshme, ata parapëlqejnë shoqërinë civile përpara shtetit.

Politika nga shumë teoricien shikohet si kompromis dhe konsensus, por politika si shkencë ka njohur dhe forma tjera të veprimeve politike, psh. Lenini thoshte se edhe “lufta është vazhdim i politikes me mjete të tjera”. Natyrisht që lufta ka qenë dhe mbetet zgjedhja më e keqe e politikës, por politika si shkencë e parasheh edhe luftën si zgjidhje politike. Konsensusi është forma më e arrirë e politikës, por vështirë i arritur, ndërsa kompromisi shpesh është formë e dhimbshme për palët, por këtë formë të politikës e kanë njohur dhe formacionet më revolucionare të botës, ndërsa luftërat me gjithë rezultatet tragjike të tyre, përsëri duhet t’ju nënshtrohen kompromiseve politike. Edhe historia e jonë më e re politike e konfirmon ketë, por jo vetëm kjo. Kompromisi, por jo komprometimi, është vlerë e politikës së përbotshme ose se paku kjo është karota që u epet atyre që bëjnë kompromise. Pra, filozofë dhe teoricien nga antika janë përpjekur të shpjegojnë si duhej të ishte qeverisja e mirë, por janë liderët politikë ata që duhet të vendosin qeverisjen e mirë. Ndoshta kjo që u tha korrespondon me thënien e njohur të Marksit, “Filozofët nuk kanë bërë tjetër veçse e kanë shpjeguar botën në mënyra të ndryshme, por puna është që të ndryshohet ajo” (teza e 11 e Fojerbahut). Në botën shqiptare, nëse jo edhe përtej saj duhet të ndryshohet qeverisja për të mirën e qytetarëve të kësaj hapësire.

Të përfundojmë, politika “vërtetë është art i se mundshmes”, por nuk është diçka e pa moralshme, “mashtrim apo zbatim brutal i pushtetit” siç vlerësohet nga makiavelistët e djeshëm a të sotshëm. Politika është diçka në mes të “reales dhe të ideales”, pra nuk është as krejt ferr e as krejt parajsë. “Politikani i mirë, thotë Sartori e dinë se idetë janë forcë dhe idealët janë armë”, pa të cilat s’bëhet politika realiste. Politika është një domosdoshmëri që shoqëria njerëzore nuk benë dot pa te, se demokracia nuk funksionon pa filozofinë dhe teorinë politike apo politiken si shkencë. Politika si shkencë, si çdo shkencë tjetër është krijuar nga mendjet e ndritura të shekujve për të qenë në shërbim të njeriut, por, po kjo shkencë nuk ka arritur ta pengoj antinjeriun që të shfrytëzoj atë për qëllimet e tija meskine. A nuk i shfrytëzuan të arriturat e shkencës sulmuesit e Kullave Binjake më 11 shtator 2001?! Kush mund më thënë se edhe TI, armë e rëndësishme par zhvillimin e progresin, nuk shfrytëzohet për mbrapshtit më të ndryshme nga antinjerëzit irracionalë?! Të cilët nuk kanë munguar në asnjë periudhë të historisë njerëzore.

Të ngjashme