Partia Demokratike e Kosovës, për dallim prej subjekteve të tjera, shquhet për hapësirën dhe mundësinë që ofron për gratë. Kështu tha kandidatja e PDK-së për kryetare të Komunës së Mitrovicës, Valdete Idrizi, në një takim të zhvilluar me kandidatet për asamble komunale dhe gra e vajza të Mitrovicës.
Sipas saj, përderisa subjektet vetëm flasin për gratë dhe i konsiderojnë thjeshtë si numra, PDK-ja ju ofron hapësirë për të qenë vendimmarrëse. “Vetë kandidimi im dhe i dy grave të tjera për kryetare të komunave, tregon se PDK-ja është vendi i sigurt për gratë që duan zhvillim dhe prosperim. Gratë me ne do të jenë më të fuqizuara se kurrë”, tha ajo.
Idrizi theksoi se në kuadër të platformës qeverisëse, ka pika të veçanta pikërisht për mbështetjen e grave. Në këtë kontekst ajo përmendi politikat për sigurimin e lehtësirave tatimore për bizneset private që punësojnë gra e vajza si dhe për ato biznese që themelohen e udhëheqen nga gratë dhe vajzat. “Gratë dhe vajzat do të kenë adresë në qeverisjen time”.
Ajo ftoi gratë dhe vajzat e Mitrovicës që të votojnë për ndryshimin e gjendjes së tyre dhe të angazhohen në jetën publike e politike. “Politika ka sfida e vështirësi, por ka shumë mundësi për të punuar me nder dhe me profesionalizëm për ta ndryshuar Mitrovicën tonë. Këtë do ta dëshojmë së shpejti bashkërisht”, tha ajo.