Komuna e Vushtrri ka organizuar manifestim me rastin e 18-vjetorit të pavarësisë së Kosovë, ku u theksua roli i luftës për liri dhe sakrifica e brezave ndër vite, si dhe kontributi i luftëtarëve të Ushtria Çlirimtare e Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Kryetari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi, tha se pavarësia e Kosovës është realizim i një projekti historik të shumë brezave shqiptarë dhe rezultat i sakrificave të mëdha ndër vite.
“Projekti më i madh i shqiptarëve në fund të shekullit të 20-të, një datë të cilën e pritën shumë breza dhe gjenerata, brez pas brezi. Stërgjyshërit lënë amanet që nëse një ditë vjen kjo ditë vetëm të shkojmë te guri i varrit dhe t’ju tregojmë se Kosova është e pavarur dhe sovrane. Sot është një datë e veçantë për të cilën ranë shumë breza, shumë gjenerata u derdh shumë gjak. Ne jemi me fat që këtë ditë e kurorëzuam me sukses. UÇK-ja si një strukturë e organizuar është guerilja më e suksesshme që e ka njohur ndonjëherë historia, sepse fal luftës heroike të saj, fal mbështetjes së aleatëve, vendeve perëndimore dhe NATO-s, sot Kosova është e lirë, e pavarur, është sovrane. Ajo çka e bën të veçantë dhe i jep një shije shumë të hidhur sot kësaj date shumë të rëndësishme është se sot kemi festë edhe protestë. Kemi protestë sepse sot padrejtësisht mbahen drejtuesit e shtetit të Kosovës, udhëheqësit e UÇK-së, padrejtësisht me aktakuza krejt banale, me aktakuza më qesharake”, tha ai.
Ndërkaq, përfaqësuesi i OVL-UÇK në Vushtrri tha se kjo datë përfaqëson krenari dhe kujtesë për të gjithë ata që dhanë jetën për liri.
“Është një ditë e madhe krenarie, ditë që u takon atyre që ranë për liri. Sot shënojmë 17 shkurtin, Ditën e Pavarësisë së Kosovës. Ditën kur Kosova u bë shtet i lirë dhe i pavarur. Kjo liri nuk ra nga qielli, nuk erdhi dhuratë, por u fitua me gjak, sakrificë dhe luftë. Sot përulemi me respekt të thellë para të gjithë dëshmorëve të UÇK-së, martirëve dhe të gjithë atyre që në vazhdimësi historike dhanë jetën dhe gjithçka që ishin në mbrojtje të popullit shqiptar dhe trojeve tona”, tha ai.

