Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka mirëpritur vlerësimin pozitiv të Independent Evaluation Group (IEG) të Grupit të Bankës Botërore për mbështetjen e dhënë ndaj sektorit financiar të Kosovës dhe progresin e arritur gjatë viteve të fundit.
IEG, si strukturë e pavarur vlerësuese e Grupit të Bankës Botërore, ka analizuar efektivitetin dhe rezultatet e programeve të këtij institucioni në Kosovë, ndërsa misioni vlerësues dhe faktmbledhës i Bankës Botërore u mirëprit nga BQK në një takim të zhvilluar më 8 dhjetor 2025.
Sipas raportit, Kosova ka shënuar përparim të rëndësishëm në forcimin e institucioneve financiare, modernizimin e infrastrukturës financiare dhe avancimin e reformave që synojnë integrimin e sektorit financiar të vendit në tregjet financiare evropiane.
Në veçanti, raporti vlerëson rolin e BQK-së në forcimin e stabilitetit financiar, zhvillimin e kornizës rregullative dhe mbikëqyrëse, si dhe modernizimin e sistemit të pagesave.
“BQK ka luajtur rol kyç në forcimin e stabilitetit financiar, avancimin e kornizës rregullative dhe mbikëqyrëse, si dhe në modernizimin e sistemit të pagesave”, thuhet në vlerësimin e IEG-së.
Raporti konstaton se korniza mbikëqyrëse e BQK-së është harmonizuar në masë të madhe me standardet dhe praktikat e Bashkimit Evropian. Sipas vlerësimit, reformat e ndërmarra kanë kontribuar në rritjen e qëndrueshmërisë së sektorit financiar.
IEG vlerëson gjithashtu avancimin e mbikëqyrjes së bazuar në rrezik, si dhe forcimin e mekanizmave për menaxhimin e krizave dhe ruajtjen e stabilitetit financiar.
Një ndër fushat kryesore të analizuara në raport është reformimi i sistemit të pagesave dhe përgatitjet e Kosovës për integrimin në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA).
Sipas raportit, BQK ka udhëhequr procesin e modernizimit të infrastrukturës kombëtare të pagesave dhe harmonizimit të saj me standardet evropiane.
“Reformat në sistemin e pagesave kanë krijuar një bazë të rëndësishme për pagesa më efikase, më të shpejta dhe më të sigurta për qytetarët dhe bizneset”, vlerëson raporti.
Raporti i kushton rëndësi edhe Strategjisë Kombëtare të Pagesave, duke theksuar se reformat në këtë fushë kanë ndikuar në zgjerimin e përdorimit të pagesave elektronike dhe në transformimin digjital të sektorit financiar.
Sipas IEG-së, këto zhvillime krijojnë kushte më të favorshme për rritjen e konkurrencës, nxitjen e inovacionit, zgjerimin e përfshirjes financiare dhe forcimin e mbrojtjes së konsumatorëve.
Megjithëse vlerësimi konfirmon progresin e arritur, raporti thekson se disa nga përfitimet më të rëndësishme të reformave pritet të materializohen plotësisht gjatë fazës së zbatimit në vitet e ardhshme.
BQK e ka cilësuar bashkëpunimin me Bankën Botërore si të rëndësishëm dhe vlerësimin e IEG-së si konfirmim të progresit të arritur në forcimin e sektorit financiar të Kosovës.
“BQK mbetet e përkushtuar në vazhdimin e reformave që forcojnë stabilitetin financiar, mbështesin zhvillimin e tregjeve financiare dhe avancojnë integrimin evropian të sektorit financiar të Kosovës”, thekson banka.
Sipas BQK-së, reformat do të vazhdojnë të orientohen drejt standardeve më të mira ndërkombëtare dhe objektivave strategjike të vendit.
Raporti për Kosovën është pjesë e një vlerësimi më të gjerë dhe afatgjatë të angazhimit të Grupit të Bankës Botërore në vend. Në kuadër të këtij procesi është analizuar edhe zhvillimi i sektorit financiar, mbështetja për forcimin e rolit të BQK-së dhe zbatimi i reformave të ndërmarra.