Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), ka prezantuar raportin “Eksperimentimi me Ndihmën Juridike Falas”- analizë e draft koncept-dokumentit për Ndihmë Juridike Falas, reformë kjo të cilën e quajnë të panevojshme, raporton Ekonomia Online.
Arrita Rezniqi, hulumtuese e lartë në IKD, ka thënë se draft koncept-dokumenti për Ndihmë Juridike Falas paraqet ndërhyrje kushtetuese përmes financimit.
Sipas saj, shkelja kushtetuese është tek përcaktimi i përgjegjësisë së pagesës dhe kontrollit të cilësisë për të gjitha format e ndihmës jurdike të financuara nga shteti, t’i transferohet Agjencisë për Ndihmë Jurdike Falas.
Pra, ajo tha se drafti i koncept-dokumentit parasheh bartjen e buxhetit nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) tek Agjencia për Ndihmë Juridike Falas (ANJF).
“Draft koncept-dokumenti, tutje përcakton që përgjegjësia për pagesën dhe kontrollin e cilësisë për të gjitha format e ndihmës juridike të financuar nga shteti, t’i transferohen ANJF-së. Madje shprehimisht parashihet që të bëhet bartja e buxhetit nga KGJK dhe KPK në ANJF, të asaj pjese që deri më tani ka qenë e ndarë te këto dy mekanizma institucional. Një ndryshim i tillë do të përbënte cenim të pavarësisë funksionale të sistemit të drejtësisë. Për çka nënkuptohet se me këto veprime kemi shkelje flagrante kushtetuese”, tha Rezniqi.
“Nuk duhet harruar se Këshilli Gjyqësor i Kosovës është institucion plotësisht i pavarur në ushtrimin e funksioneve të tij. Këtë parim kushtetues, e ka mishëruar edhe Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës në vendimet e veta. Kjo e fundit në aktgjykimin nr. KO219/19 kur ka vendosur lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së ligjit nr. 06/L-111 për Pagat në Sektorin Publik, pra në vitin 2019, kishte vendosur se nëse dispozita në fjalë do të deklarohej si kushtetuese, kjo do të nënkuptonte që sa herë që gjyqësori, Gjykata Kushtetuese, Avokati i Popullit dhe Institucionet e tjera të pavarura e kanë të nevojshme të krijojnë një pozicion të ri brenda organogramit të tyre ose të ndryshojnë strukturën e brendshme organizative, varësisht nga nevoja që mund të lind në të ardhmen – ato duhet t’i drejtohen Qeverisë për të kërkuar leje dhe miratim për krijim të një pozite të re dhe për të kërkuar leje dhe miratim për ndryshim të strukturës së brendshme organizative. Ligji i kontestuar në këtë aspekt thotë që është MAP ai i cili “do të vlerësojë funksionin, pozitën apo emërtesën” dhe do të bëjë “propozimin për aprovim në Qeveri për klasën e pagës që do të zbatohet për atë funksion, pozitë apo emërtesë”, tha ajo.
Rezniqi theksoi se një gjë e tillë parashihet edhe në raste kur gjykata do të vendos për veprime procedurale. Sipas saj, në rast se përgjegjësia për pagesë dhe kontroll të të gjithave formave të ndihmës juridike të financuara nga shteti do t’i transferohen ANJF-së, i bie që zinxhiri vendimtar për vendimmarrje është Qeveria.
“Në një paralele të tillë edhe në rastet kur gjykata do të vendosë për veprime procedurale – konkretisht për (mos) nevojën për caktimin e një mbrojtësi me shpenzime publike, në rast se përgjegjësia për pagesën dhe kontrollin e të gjitha formave të ndihmës juridike të financuar nga shteti do t’i transferohen ANJF-së, i bie se në zinxhirin vendimtar dhe përfundimtar, vendimmarrës është Qeveria ajo e cila duhet të “aprovojë” çdo propozim të gjyqësorit”, tha ajo.
Tutje, Rezniqi tha se nuk e kontestojnë nevojën për përmirësimin e sistemit të Ndihmës Juridike Falas, por që sipas tyre reformimi strukturor i propozuar në këtë draft mund të ndikojë në qëndrueshmërinë e këtij mekanizmi.
“Si fillim, duhet cekur se IKD nuk e konteston nevojën për përmirësimin e sistemit të ndihmës juridike falas, por konsideron se një reformim strukturor siç propozohet në draft koncept-dokument, përveç se është i panevojshëm, mund të ndikojë në qëndrueshmërinë e këtij mekanizmi kaq të rëndësishëm, me theks të veçantë për grupet e ndjeshme të qytetarëve të Kosovës”, tha Rezniqi.
Hulumtuesja e lartë e IKD-së tha se propozimi nga ky draft konsiston në implikime të mëdha në reformimin strukturor dhe në atë ligjor.
“Opsioni që del si propozim nga draft koncept-dokumenti, konsiston në implikime të mëdha në reformimin strukturor, por mbi të gjitha atë ligjor, e po ashtu edhe në aspektin kohor të zbatimit të reformës. Reformimi strukturor në situatën aktuale është i panevojshëm dhe kjo nuk argumentohet mjaftueshëm as në draft koncpet-dokument. Madje, drafti nuk ndjek një qasje të paanshme në raport me opsionet e prezantuara. Ndërsa, pasiguritë e identifikuara përgjatë përmbajtjes së draftit, nuk arrijnë të bindin që reforma do të jetësohet, por do thjesht që do të fillojë të testohet”, tha Rezniqi.