Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), në raportin e saj të publikuar për Zbatimin e Konventës së të drejtave të njeriut, ka thënë se në Kosovë, zbatimi i kësaj konvente është shqetësuese, raporton Ekonomia Online.
Drejtori ekzekutiv i IKD-së, Ehat Miftaraj, ka thënë se në normën kushtetuese në Kosovë janë vendosur standardet më të larta të respektimit të të drejtave të njeriut dhe lirive themelore, por se sipas tij, këto standarde kanë mbetur në tekstin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, dhe nuk janë zbatuar në praktikë. Sipas Miftaraj, injorimi i standardeve të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe jurisprudencës së Gjykatës së Strasburgut ndodhë edhe 12 vjet pas miratimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Sipas Miftaraj, duke mos aplikuar standardet kushtetuese që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut dhe liritë themelore, qytetarët privohen nga një numër i konsiderueshëm i të drejtave të tyre kushtetuese, si e drejta për një gjykim të drejtë, e drejta për një gjykim brenda afatit të arsyeshëm, e drejta në mjete efektive juridike etj.
“Një ndër arsyet kryesore të mos aplikimit të standardeve të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe jurisprudencës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut nga gjyqësori i Kosovës është mungesa e njohurive të prokurorëve dhe gjyqtarëve për të aplikuar këto standarde, me ç’rast ka rekomanduar Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe Akademinë e Drejtësisë që ta trajtojnë me prioritet nevojën për aftësimin e gjyqtarëve në aplikimin e Konventës dhe praktikës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, tha ai.
Ndërsa Gëzim Shala tha nga monitorimi i tyre nga viti 2009 të gjeturat e raportit janë shqetësuese.
“Me qëllim të krijimit të një pasqyre reale mbi nivelin e aplikimit të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe praktikës së Gjykatës së Strasburgut, IKD ka analizuar gjithsej 209 aktgjykime, të zgjedhura sipas metodës rastësore, të cilat aktgjykime i përkasin të gjitha gjykatave dhe të gjitha departamenteve. Nga 209 aktgjykime, IKD ka gjetur se në vetëm 20 raste është aplikuar Konventa, e që shprehur në përqindje, i bie se kjo konventë është aplikuar vetëm 9.56%. Sa i përket praktikës së Gjykatës së Strasburgut, vendimet e kësaj gjykate janë aplikuar në vetëm 19 raste, apo në 9.09% të aktgjykimeve të analizuara. Sa i përket Gjykatës Supreme, e njëjta ka aplikuar Konventën në 25% të aktgjykimeve të analizuara, derisa ka aplikuar praktikën e Gjykatës së Strasburgut në vetëm 15% të rasteve të analizuara. Por, problematika kryesore qëndron në Gjykatën e Apelit, në aktgjykimet e së cilës gjykatë, IKD nuk ka evidentuar asnjë rast të aplikimit të Konventës Evropiane për të Drejtat e njeriut apo jurisprudencës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, ka thënë Shala.