Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka reaguar ndaj kampanjës persekutuese, sikur e kanë quajtur ata, kundër IKD-së dhe “Betimit për Drejtësi” nga Agron Beka, anëtar i KPK-së, që thuhet se vjen pas një emisioni të transmetuar në KTV, me titull “Përplasjet institucionale për Agron Bekën”, në të cilin ishin shpalosur pretendimet për shkelje të ligjit nga Agron Beka dhe të tjerët në Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini”.
REAGIMI I PLOTË:
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) me 18 shkurt 2023 në KTV, ka transmetuar emisionin “Betimi për Drejtësi” me titull “Përplasjet institucionale për Agron Bekën”, në të cilin ishin shpalosur pretendimet për shkelje të ligjit nga Agron Beka dhe të tjerët në Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini”.
Emisioni “Betimi për Drejtësi” me qëllim të trajtimit sa më profesional dhe të drejtë të hulumtimit të kësaj teme, kishte ftuar edhe Bekën që të ofrojë qëndrimin e tij lidhur me këto pretendime të shkeljes së ligjit, por që ai ende pa e kuptuar temën për të cilën e kemi ftuar të intervistohet, ka filluar me kërcënimet e tij se do të ushtrojë padi. Edhe pas kësaj, ekipi i “Betimit për Drejtësi” prapë ka insistuar që të intervistohet Beka por ai vazhdimisht ka refuzuar.
Agron Beka si pjesë e stafit akademik në Universitetin e Mitrovicës, në të njëjtën kohë ushtron edhe funksionin e anëtarit të KPK-së nga radhët e profesorëve të fakulteteve juridike. Beka me datë 23 shkurt 2023, në takimin publik të KPK-së, ka propozuar që në rendin e ditës të shtohet edhe pika ku do të diskutohet për Institutin e Kosovës për Drejtësi dhe emisionin “Betimi për Drejtësi”. Ai, gjatë këtij diskutimi, duke keqpërdorur pozitën e tij si anëtar i KPK-së, ka sulmuar IKD-në dhe “Betimin për Drejtësi” me gjuhë ofenduese, fyese dhe degraduese, me arsyetimin se emisioni ku ai ishte protagonist ishte i porositur dhe tendencioz.
Për më tepër, Agron Beka, duke tentuar të hakmerret dhe të ndalë raportimet për të përmes
transmetimit të hulumtimeve gazetareske, ku ai shpërfaqet përmes kallëzimeve penale si i
dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ka kërkuar që drejtuesi i IKD-së, Ehat Miftaraj, i cili
kishte punuar si Drejtor i Njësitit për Shqyrtim të Performancës së Prokurorive në KPK prej
2011 deri në 2015 të “hetohet” deri në detaje nga administrata e KPK-së, duke kërkuar edhe
qasje në dosjen e Miftarajt për kohën sa ai ka qenë drejtor i këtij njësiti.
Beka po ashtu ka kërkuar informacione në lidhje me donacionet, që sipas tij, KPK i ka bërë “Betimit për Drejtësi”. “Po ashtu, do të kërkojë informacion zyrtar se e a ka pas donacion nga ana e KPK-së që i kanë bë “Betimit për Drejtësi” në vlerë prej 80 mijë euro edhe a ka pas donacione tjera”. E gjithë kjo për shkak të publikimit të një emisioni, ku ai në mënyrë kategorike ka refuzuar ta jap versionin e tij.
Në fund të fjalimit të tij në mbledhje të KPK-së, Agron Beka sërish ka ngritur akuza të rënda ndaj IKD-së dhe emisionit “Betimi për Drejtësi”, duke thënë se kjo OJQ është bërë pjesë e një grupi abuziv, duke aluduar tek zyrtarët të cilët kanë ngritur kallëzime penale për abuzime të ligjit kundër Agron Bekës.
Qasja dhe diskutimi i Bekës bie në kundërshtim me obligimet dhe përgjegjësitë e tij që dalin nga Ligji për KPK. Sipas këtij ligji, Kryesuesi, zëvendës-kryesuesi dhe anëtari i Këshillit ushtrojnë detyrat e tyre në mënyrë të pavarur, profesionale dhe të paanshme. Në rastin konkret, Agron Beka keqpërdor pozitën e tij zyrtare dhe për interesa personale mbi çështjet që nuk hyjnë në kuadër të kompetencave të KPK, kërkon që të hetohen një OJQ e pavarur dhe komponenta e saj për media – emisioni “Betimi për Drejtësi”. E gjithë kjo për shkak të publikimit të një emisioni, ku ai shpërfaqet përmes kallëzimeve penale si i dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, në të cilin ai ka refuzuar të intervistohet.
Para transmetimit të emisionit “Betimi për Drejtësi”, protagonisti Agron Beka ka qenë subjekt i raportimit edhe nga mediat e tjera për pretendimet për përfshirjen e tij në shkelje të ligjit.
IKD është themeluar me 4 shkurt 2009 dhe asnjëherë nuk ka marrë fonde nga asnjë institucion publik, përfshi KPK-në. Tendenca që në publik të plasohen të pavërteta “nëse IKD ka pranuar mjete nga KPK”, hyn në vazhdën e shpifjeve të Agron Bekës dhe përpjekjeve për të plasuar informacion të rremë në publik.
Sa i përket rolit të shoqërisë civile, IKD i rikujton Bekës se Strategjia për Sundimin e Ligjit 2021-2026, në parimet bazë ka përcaktuar se shoqëria civile dhe media luajnë rol kyç në monitorimin e rritjes së ndërgjegjësimit për të gjitha çështjet e drejtësisë. Gjithashtu, shoqëria civile si akter i pavarur që përfaqëson interesat e publikut të gjerë, është e pozicionuar në mënyrë unike për të denoncuar dhe ekspozuar praktikat e këqija, rastet e korrupsionit, si dhe për të bërë presion për reforma. Prandaj, institucionet publike duhet të marrin masa për të mundësuar dhe forcuar pjesëmarrjen e shoqërisë civile, ndërsa shoqëria civile duhet të jetë e vetëdijshme për rolin e saj dhe të përdorë levat e saj të mundshme.
Në rastin e Agron Bekës, ai vepron në kundërshtim të hapur me këto parime dhe keqpërdorur autoritetin e tij zyrtar me qëllim të ndaljes së raportimeve ndaj tij, kur ai është subjekt i hulumtimeve nga shoqëria civile dhe media.
Me këtë rast, IKD dhe “Betimi për Drejtësi” i rikujton Agron Bekës se tendencat e tilla për të
mbyllur gojën e mediave nuk janë risi. Për situata të ngjashme, akterë të ndryshëm kanë pasur
vazhdimisht tendenca të tilla. Por, të gjitha këto tendenca kanë dështuar dhe nuk e kanë penguar
IKD dhe emisionin “Betimi për Drejtësi” të vazhdojë sukseshëm punën në ekspozimin e
shkelësve të ligjit.
Keqpërdorimi i takimit publik të KPK nga anëtari i saj, Agron Beka, dëmton rëndë imazhin e
KPK si institucion kushtetues që mbikëqyrë Prokurorin e Shtetit. Beka ishte zgjedhur anëtar i
KPK nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, ku kishte marrë gjithsej 33 vota. Me qëllim që
Kuvendi të sigurohet që përfaqësuesit e saj të ushtrojnë në mënyrë të drejtë funksionin që u është
besuar nga Kuvendi, në përputhje me Ligjin, duhet të ndërmarrin masa ndaj anëtarit Agron Beka.