IKD mirëpret aktgjykimet e Supremes kundër MSH-së dhe UP-së: Aktet nënligjore s’mund të krijojnë obligime që s’i lejon ligji

Prishtinë | 14 Maj 2026 | 12:24 | Nga Ekonomia Online

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka mirëpritur dy aktgjykimet e Gjykatës Supreme në rastet e iniciuara nga IKD për mbrojtjen e interesit publik.

Rasti i parë ka të bëjë me shfuqizimin e tarifës prej 3 eurosh për shoqëruesit e pacientëve, të vendosur nga Ministria e Shëndetësisë. Ndërsa, rasti i dytë lidhet me shfuqizimin e disa dispozitave të Rregullores së Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” për procedurat përzgjedhëse të personelit akademik.

Në një konferencë për medie, hulumtuesja e lartë e IKD-së, Arrita Rezniqi tha se IKD ka arritur të përfaqësojë me sukses interesin publik në secilin rast të ngritur në Gjykatën Supreme për shfuqizimin e akteve nënligjore.

Lidhur me rastin e parë, Rezniqi tha se kanë kontestuar ligjshmërinë e dispozitave të Udhëzimit Administrativ për bashkëpagesat në shërbimet shëndetësore, pasi kanë vlerësuar se Ministria e Shëndetësisë ka krijuar një detyrim të ri financiar pa bazë ligjore.  Ajo shtoi se qëndrimi i tyre në padi ka qenë i qarë, duke theksuar se asnjë akt nënligjor nuk mund të krijojë obligime të reja për qytetarët përtej asaj që përcakton ligji.

Veç kësaj, Rezniqi theksoi se në padi kanë argumentuar se akti nënligjor duhet të ketë mbështetje të qartë në ligjin bazik dhe të mbetet brenda kufijve të tij si dhe, çdo tejkalim i këtyre kufijve përbën shkelje të parimit të legalitetit dhe hierarkisë së normave dhe cenon sigurinë juridike.

Ndërsa shoqërimi i pacientëve, sipas Rezniqit, nuk është zgjedhje e lirë, por buron nga kapacitetet e kufizuara të sistemit shëndetësor dhe shërben për plotësimin e nevojave bazike të pacientëve.

Kurse, lidhur me rastin kundër Universitetit të Prishtinës për shfuqizimin e disa dispozitave të Rregullores për procedurat përzgjedhëse të personelit akademik, hulumtuesi i lartë në IKD, Gzim Shala tha se aktgjykimi i Gjykatës Supreme nuk e ndalon Universitetin që ta mbrojë integritetin akademik.

Ai shtoi se UP-ja ka të drejtë të kontrollojë nëse publikimi në një revistë shkencore është i vërtetë dhe plotëson standardet e kërkuara. Por, sipas tij, këtë duhet ta bëjë me rregulla të qarta dhe me prova konkrete. Shala tha se nëse një person vepron sipas rregullave që vlejnë në atë kohë, ai nuk mund të penalizohet më vonë për ndryshime që nuk varen prej tij.

Hulumtuesi i lartë i IKD-së, shtoi se ky rast është i rëndësishëm jo vetëm për Universitetin e Prishtinës por edhe për të gjitha institucionet publike pasi parimi është i njëjtë: institucionet duhet të veprojnë brenda ligjit. Rregulloret nuk mund të krijojnë kompetenca të reja që ligji nuk i lejon. Dhe askush nuk mund të trajtohet në mënyrë të padrejtë përmes rregullave të paqarta.

Shala tha se për IKD-në, ky vendim është sukses i rëndësishëm në mbrojtjen e ligjshmërisë dhe kontrollit gjyqësor ndaj akteve nënligjore.

Ai shtoi se institucionet duhet të mbrojnë cilësinë dhe integritetin, por këtë duhet ta bëjnë me ligj, me kritere të qarta dhe me procedurë të drejtë.

Të ngjashme